Prioritete të larta të Qeverisë duhet të jenë çmimet e larta dhe korrupsioni, integrimet në BE në vend të fundit, tregoi anketa e IRI-t

Sipas hulumtimit të fundit të Institutit Republikan Ndërkombëtar Amerikan (IRI), të publikuar sot , problem më i madh për qytetarët e Maqedonisë janë çmimet e larta dhe shpenzimet për jetesë (31%), pastaj vjen korrupsioni (22%).

Mendim të ngjashëm qytetarët e Maqedonisë kanë edhe në lidhje me atë se cila çështje duhet të jetë prioriteti kryesor i qeverisë.

25 përqind e të anketuarve janë përgjigjur se çmimet e larta dhe shpenzimet për jetesë duhet të jenë prioriteti kryesor i qeverisë, 22 kanë thënë korrupsioni , ndërsa 10 përqind kanë thënë se prioritet duhet të jetë dhe papunësia. Për atë se integrimet në BE duhet të jenë prioriteti kryesor janë deklaruar 1 përqind e të anketuarve, me çka kjo pyetje u gjend në vendin e fundit në anketë.

Në pyetjen se si do ta përshkruanit situatën aktuale në amvisërinë tuaj, 5 përqind janë përgjigjur shumë mirë, 50 përqind pjesërisht mirë, 27 përqind pjesërisht keq dhe 18 përqind shumë keq. 19 përqind nuk e dinë ose nuk janë përgjigjur.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan është lideri i huaj më popullor në mesin e qytetarëve të Maqedonisë. 66 përqind kanë një mendim pozitiv për të. Në vend të dytë është presidenti rus, për të cilin mendim pozitiv  kanë 49 përqind e të anketuarve, i ndjekur nga presidenti amerikan Joe Biden me 37 përqind dhe presidenti kinez Xi Jinping me 35 përqind.

Në pyetjen nëse anëtarësimi në NATO është pozitiv apo negativ, 32 përqind janë përgjigjur se është shumë pozitiv, 38 përqind pjesërisht pozitiv, 14 përqind pjesërisht negativ dhe 8 përqind shumë negativ. 8 përqind nuk e dinë ose nuk janë përgjigjur.

34 përqind e të anketuarve besojnë se BE-ja është serioze në qëllimin e saj për t’u ofruar anëtarësim vendeve të Ballkanit Perëndimor, përkundër 47 përqind të tyre që mendojnë se nuk është serioze.

Të dhënat për këtë hulumtim janë mbledhur nga 2 shkurti deri më 5 mars dhe në të janë përfshirë 1.220 të anketuar të moshës madhore në Maqedoni. Ky hulumtim është realizuar në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ndryshe, sondazhi më i fundit shumëkombësh në Ballkanin Perëndimor kryer nga  Qendra për Vështrime në Hulumtimet e Anketave (CISR) në kuadër të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) tregon një mbështetje të gjerë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE) dhe një shumicë dërmuese e konsiderojnë luftën e Rusisë kundër Ukrainës si të pajustifikuar.

Vendet e mbuluara nga sondazhi ishin Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina (BiH), Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia.