Prej riciklimit në art me portrete grash

Përdorimi i mbeturinave, objekteve dhe materialeve të hedhura kohëve të fundit është bërë një mënyrë tërheqëse për të bërë art dhe ende më shumë ngjall kureshtjen e publikut për të parë se ç’mund të ndërtohet mbi “gërmadha” të papërdorshme.

Akime Nasufi Rexhepi, piktore dhe profesoreshë, në qytetin e Kumanovës  javë më parë hapi ekspozitën ‘’Prej riciklimit në art’’ ku para publikut prezantoi punimet e saja. Sigurisht, edhe kureshtja jonë duhet ushqyer me informata që na interesojnë ndaj për Portalbin artistja sqaron: “I gjithë projekti filloi me qëllim që sa më shumë artistët e rinj të inkuadrohen në materialet ricikluese, ose ato të ripërdorimit, artdashësit të mësohen me vepra artistike të cilat bëhen edhe më  interesante kur në to ka tekstura të ndryshme nga materialet ricikluese.”

Foto nga arkivi personal i piktores
Foto nga arkivi personal i piktores

Duket një ekspozitë ndryshe nga ajo që jemi mësuar të shohim kohëve të fundit dhe sidomos nga ato që kemi parë nga kjo artiste. Në opusin e saj gjejmë segmente të natyrës, lidhshmëri shpirtërore me kozmiken, ndërsa kjo ekspozitë është prova, dëshmia se e do natyrën, pasi qëllimi i ekspozitave të tilla synon edhe ta mbroj ambientin duke i kthyer në art hedhurinat që e ngulfatin ambientin. Por, sa kohë i ka shkuar për ta përmbyllur punën:

“Veprat artistike janë të gjitha të punuara me teknikë të kombinuar, ku më së shumti është përdorur materiali nga tekstili, penjtë etj. Periudha kohore e punës nuk ka qenë dhe aq e gjate, të themi se kam punuar vetëm këto muajt e fundit . Sigurisht qe në vendet më të zhvilluara ripërdorimi është trend dhe kjo ishte arsyeja e dytë qe unë zgjodha të punojë në lidhje me këtë temë, nga qe popullata jonë duhet të mësohen të shohin pak më ndryshe, jo vetëm artin klasik por edhe atë modern, ku unë jam munduar t’i  përziej të dyjat bashkë dhe të krijoj diçka më ndryshe, gjë qe u prit shumë mirë dhe bukur nga të gjithë artdashësit. Besoj se u tha shumë nëpërmjet lëvdatave qe mora ditën e hapjes se ekspozitës nga koleg artistë, por edhe nga artdashësit “ – thotë për  lexuesit e Portalbit Akime Nasufi Rexhepi.

Gratë e Akime Nasufi Rexhepit janë gra të forta, që janë ribërë si nga një sfinks. Ato kanë shumë role në jetë që i luajnë plotësisht. Role të shumëfishta. Kanë shumë dimensione shpirtërore që i kalojnë shkaku i luhatjeve biologjike që i transformon në gjendje të reja si, bie fjala, ai i mëmësisë.

A nuk është gruaja ajo që bën sikur gjithçka është në rregull dhe asgjë s’ka ndodhur me të edhe kur është e thyer copë-copë përbrenda?! Gra që zgjasin duart dhe tregojnë bardhësinë e tyre edhe përskaj gjithë mundimit apo gra që kërkojnë tu zgjatet edhe një dorë për të qëndruar të pamposhtura. Po prej kujt kërkojnë ndihmë? Dorën e kujt e kërkojnë? A s’thuhej te ne në popull “shkoj të kërkoj dorën e vajzës…” kur shkuesia ende përcaktonte fatet femërore?! Pastaj ajo shkon në derë të huaj dhe “merr dorë” (bën temena), përulet, nënshtrohet aty ku shoqëria ia ka diktuar vendin. Fati i gruas sillej rreth një elementi: dorës. Duket si një “odë grash” kjo ekspozitë, si një kuvend me personalitete femërore të llojllojshme, që dialogojnë me njëra-tjetrën dhe sikur flasin, rrëfejnë, zgjojnë dhembshuri, kërkojnë diku prapa në të shkuarën pikëtakimin e fatit të tyre dhe kërkojnë që ta ndryshojnë të ardhmen e përbashkët. Mbyllin sytë dhe kujtojnë, hapin sytë dhe kanë frikë, por s’bëzajnë. Kë përpiqen ta mbulojnë më shumë gratë e Akimes, brengat apo flokët me shamitë që mbajnë? Janë mbuluar apo i kanë mbuluar? Fate grash që duan të ulërasin e prapë rrinë në një galeri bashkë, mbajnë veshur copëza veshjesh e fragmentesh nga kushedi ç‘veshje?! Secili portret të flet, të fton, të ngulitet diku si një gozhdë dhe sytë që fshehin ato gra, që s’të lënë të shohësh brenda tyre.

Por, kur ka filluar riciklimi të kthehet në art ?!

Ky lloj arti, rrjedhimisht ka ardhur si praktikë e mjeshtrave të mëdhenj të rrymave të ndryshme artistike në mënyrë pak a shumë protestuese, provokuese duke dashur të distancohen nga lëvizjet kulturore dominuese, të lidhura fort me konsumerizmin. Ky trend u përhap që në vitet e para të shekullit të 20-të, kur fragmente materialesh të ndryshme u shfaqën për herë të parë në kolazhet e Georges Braque dhe Pablo Picassos, të cilat u ripërdorën dhe u kombinuan në një imazh të vetëm. Përveç kësaj, duhet theksuar se mjeshtri spanjoll i lartpërmendur u dallua edhe për përdorimin e teknikës së kolazhit, të cilën e përdori për të kombinuar materialet e dobëta me ato të ricikluara. Më vonë, ashtu si kubistët, edhe futuristët, duke përdorur teknikën e kolazhit, i pasuruan pikturat e tyre me objekte ricikluese. Për këtë shkrimtari Luis Aragon atëherë tha: ” Kolazhi është një art që sfidon pikturën”.

Ishte dadaizmi që u dha mbeturinave një vlerë të re, duke e konsideruar atë një element të vërtetë artistik për t’u integruar me materiale më fisnike, të denja për art. Ndër mjeshtrit më të rëndësishëm të kësaj lëvizjeje ishin Marcel Duchamp dhe Lucio Fontana, puna e të cilëve përfaqëson, edhe sot e kësaj dite, një referencë të detyrueshme për artistët që duan të përdorin objekte të hedhura. Në fakt, kjo rrymë artistike, në kundërshtim të qartë me modernizmin dhe teknologjinë, karakterizohej nga përdorimi i materialeve të dobëta, si dheu, shkëmbinjtë, veshjet dhe letrat, të cilat shpesh të kombinuara me referenca të qarta, sollën vepra të pasura.

Arti i riciklimit ka filluar të jetë i pranishëm edhe mes artistësh shqiptarë, më shpesh mozaikanët të cilët janë të detyruar të punojnë shpesh me materiale të natyrës. Ndërsa edhe piktorët si Akimja kanë filluar të sjellin diçka freskuese dhe të këndshme për syrin duke na e bërë me dije se artisti është mbi gjithçka, ai që krijon prej ngjyrash, mund të krijoj edhe prej materialesh tjera. Edhe neve Zoti nga balta na krijoi, kështu thonë librat e shenjtë, i përkasim një llojit të riciklimit apo jo?!