Policia e RMV-së e arrestoi të dyshuarin për ryshfet duke marrë para nga qytetari

Nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës dhe marrje ryshfeti, Policia e Maqedonisë së Veriut ka arrestuar 39 vjeçarin e punësuar në Ndërmarrjen Publike “Pyjet Nacionale”, transmeton Portalb.mk.

“SPB Strumicë deri te Prokuroria Themelore Publike Strumicë ka parashtruar kallëzim penal kundër B.K. (39) nga Strumica për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “keqpërdorim të detyrës zyrtare sipas nenit 353 dhe “marrje të ryshfetit” sipas nenit 357 të KP-së”, raportoi Policia.

Ai dyshohet se për gjashtë vjet vazhdimisht ka kërkuar para nga qytetari për të marrë leje për prerjen e druve, ndërsa Gjykata i ka caktuar 30 ditë paraburgim.

“Më datën 06.11.2024 në Strumicë, në momentin kur nga i njëjti person ka marrë dëmshpërblim në të holla, nëpunësit policorë nga SPB Strumicë e kanë privuar nga liria. Poashtu, me urdhër gjyqësor janë kryer bastisje në shtëpinë e tij dhe në shtëpitë e dy personave tjerë, gjatë të cilëve janë gjetur dhe sekuestruar sende për të cilat ekziston dyshimi i bazuar se kanë lidhje me krimet”, sqaroi Policia.