Policia e Maqedonisë së Veriut publikoi pamje gjatë arrestimit të 15 personave

Në bastisjen e realizuar nga Policia e Maqedonisë së Veriut në 27 lokacione, janë arrestuar 15 persona në kuadër të aksionit për shkatërrimin e grupeve kriminale, transmeton Portalb.mk.

Policia sqaroi që aksioni policor vjen pas një hulumtimi disamujor rreth tregtisë së palejuar me armë dhe drogë. Në aksion mori pjesë edhe Drejtoria e Doganave dhe Prokuroria Themelore Publike kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Të arrestuarit janë nga mosha 20 deri 54 vjeç, që të gjithë nga Shkupi, derisa tre persona tjerë akoma nuk janë gjetur. Ndaj 18 personave është paraqitur kallëzim penal për kryerjen e 20 veprave penale.

Udhëheqësi i grupit prej tetë anëtarëve është A.R. i cili ka kryer tregti pa leje në periudhën prej korrikut të vitit 2022 deri në maj të vitit 2023. Baza e tyre është në fshatin Hasanbeg, ndërsa tregtia e tyre është shtrirë edhe në Kosovë dhe Shqipëri.

Udhëheqësi i grupit prej dhjetë anëtarëve është identifikuar B.A. Ata ishin përqendruar në shitblerjen e armëve që kanë shkuar deri 1000 euro, duke mos anashkaluar edhe drogën. Ata janë kujdesur edhe për shpërndarjen e lëndëve narkotike në Haraçinë dhe Shuto Orizare.