Pllakë përkujtimore në Kumanovë për policët që u vranë gjatë përleshjes së armatosur në “Lagjen e Trimave”

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski bashkë me delegacionin nga MPB sot në Kumanovë shpalosi përkujtimoren e 8 policëve të vrarë gjatë përleshjeve në “Lagjen e Trimave” në maj të vitit 2015. Ministri deklaroi se dhimbjen askush nuk mundet t’ua shërojë familjarëve, por që kjo përkujtimore do të tregojë se ata jetojnë përjetësisht, transmeton Portalb.mk.

“E di që flamuri ynë, maqedonas, nuk valoi nga era, por nga frymëmarrja e secilit anëtarë që ndërroi jetë duke e mbrojtur pikërisht këtë flamur”, tha mes tjerash ministri Spasovski.

Spasovski, në Facebook shkroi se nuk do ta harrojnë kurrë atë maj fatal të vitit 2015, kur tetë pjesëtarët e MPB-së, në Kumanovë, treguan kulmin e atdhedashurisë, duke sakrifikuar jetën në sulmin e armatosur terrorist në “Lagjen e trimave”.

“Asgjë më nuk është njësoj pas asaj dite, për familjarët, miqtë dhe kolegët nga Njësia Speciale Antiterroriste “Tigri” dhe nga Njësia për ndërhyrje të shpejtë, pjesëtarë të së cilës ishin. Sepse askush nuk mund ta shërojë dhimbjen dhe respekti i thellë për ta mbetet përgjithmonë. Lubisha Arandjeloviq, Boban Ivanoviq, Goran Ilijevski, Zarko Kuzmanovski, Isamedin Osmani, Sasho Samojlovski, Nenad Serafimovski dhe Goran Stojmenoviq janë heronjtë tanë që dhanë jetën për diçka më të madhe se vetja e tyre”, shkroi Spasovski.

Sipas tij, ky memorial le të përcjellë mesazhin e respektit të thellë, dashurisë për atdheun, paqes dhe bashkëjetesës për të gjithë brezat e ardhshëm.

“Mos u fshiftë kurrë nga kujtesa e kohës kujtimi i heronjve tanë. Heronjtë jetojnë përgjithmonë –  lavdi përgjithmonë!”, shkroi Spasovski

Më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, ndodhi përleshja e armatosur në “Lagjen e Trimave” të Kumanovës, kur një grup i armatosur rreth 40 persona u përballën me forcat shtetërore të Maqedonisë së Veriut. Si pasojë, humbën jetën 8 policë dhe 37 të tjerë u plagosën, ndërkaq grupi ka humbur 10 persona. Veç kësaj, nga luftimet u shkatërruan dhjetëra shtëpi, duke e pasur parasysh se ngjarja ka ndodhur në lagje urbane. Ndonëse rasti ka epilog gjyqësor, madje të finalizuar në Maqedoninë e Veriut, me vendim të Gjykatës Supreme, e vërteta për këtë rast ende nuk është zbardhur tërësisht dhe po kontestohet nga pala mbrojtëse. Ende nuk dihet se kush ishin organizatorët e vërtetë të rastit.