Piku historik i kredive për banesa në RMV: Qytetarët kanë borxh 1,7 miliardë euro, kërkesa do të rritet (Infografik)
Kërkesa për kredi për banesa do të vazhdojë të rritet deri në fund të këtij viti bankar. Në tetor, kreditë për banesa u rritën për madje 16,1% në nivel vjetor. Borxhi total i kredive të familjeve tejkaloi 4,4 miliardë euro. Nga ana tjetër, në fund të tetorit, kompanitë u kishin borxh bankave 4,2 miliardë euro. Bankierët paralajmërojnë se mund të ketë një shtrëngim të kushteve të kreditimit, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Kreditë për amvisëritë, shtrëngim i mundshëm i kushteve të kreditimit…
Viti bankar 2025 do të përfundojë me kushte të shtrënguara të kreditimit për qytetarët. Në tremujorin e tretë, bankierët thanë se kushtet për miratimin e kredive ishin lehtësuar, por ky ritëm nuk do të vazhdojë deri në fund të vitit. Sipas raporteve të bankave, për lehtësimin e kushteve për kreditë për banesa dhe ato konsumatore kanë ndikuar përqindja e kamatës, hipotekat dhe komisionet (provizionet).
Për tremujorin e katërt të vitit 2025, bankat presin një shtrëngim neto të kushteve të kreditimit në përgjithësi për kreditë për familjet. Bankat theksojnë se të gjithë faktorët kontribuojnë për një lehtësim neto të kushteve të kreditimit për kreditë për banesa dhe ato konsumatore, ku kontributin më të madh e ka faktori i “konkurrencës nga bankat e tjera”, thuhet në anketën e BPM-së.
Anketa e re tregon një ndryshim të rëndësishëm në vlerësimin e bankierëve për ndikimin e politikës monetare, kështu që nëse më parë gjysma e bankierëve vlerësonin se veprimet e BPM-së nuk kanë ndikim në politikën e kamatave për amvisëritë, tani asnjë bankë e vetme nuk e ka dhënë një vlerësim të tillë. Pavarësisht se paralajmërojnë shtrëngim të kushteve të kreditimit për amvisëritë, bankat presin që kërkesa të rritet, edhe atë tek kreditë për banesa.
“Në tremujorin e katërt të vitit 2025, bankat presin një rritjen të mëtejshme , por rritje më të matur të neto kërkesës në përgjithësi për kredi nga amvisëritë”, njofton Banka Popullore.
Në fund të tetorit, qytetarët bankave u kishin borxh 4,4 miliardë euro për të gjitha llojet e kredive, ndërsa borxhi u rrit për 0,8% krahasuar me shtatorin, ndërsa rritja në nivel vjetor ishte 10,6%.

Rritje e kërkesës për kredi për banesa…
Borxhi më i lartë i amvisërive është në bazë të kredive për banesa – në fund të tetorit ai tejkaloi shifrën historike prej 1,7 miliardë eurosh dhe vetëm për një muaj shuma u rrit për 19 milionë euro. Kreditë për banesa kanë gjithashtu shkallën më të lartë të rritjes krahasuar me kreditë e tjera, për 1,1% në bazë mujore, ndërsa në nivel vjetor madje për 16,1%.
Bankierët identifikojnë disa arsye pse qytetarët, pavarësisht çmimeve më të larta, po synojnë të bëjnë “investime” në pasuri të patundshme, kryesisht duke blerë banesa. Kështu, përmendet ndikimi i “perspektivave të tregut të ndërtimit të banesave”, “ndryshimet e pritura në çmimet e banesave”, “investimet projekte ekologjike”.
“Pas një periudhe më të gjatë (gjegjësisht deri nga fundi i vitit 2023), një kontribut të këtillë përsëri ka edhe faktori “kursimet familjare”, njofton BPM-ja.
Është interesante se kërkesa për kredi për banesa po rritet pavarësisht faktit se çmimi për metër katror vazhdon të rritet – madje për 25,1% krahasuar me tremujorin e dytë.
“Në tremujorin e tretë të vitit 2025, pati një përshpejtim të rritjes së çmimeve të banesave, të cilat ishin më të larta për 25,1% në nivel vjetor (19,9% në tremujorin e mëparshëm)”, thuhet në raportin e BPM-së.
Borxhi i kredive të kompanive tejkaloi 4,2 miliardë euro…
Në fund të tetorit, sektori i korporatave, gjegjësisht kompanitë, u kishin borxh bankave 4,25 miliardë euro, dhe kjo shumë u rrit për 0,4% krahasuar me shtatorin. Bankierët presin që në tre muajt e fundit të këtij viti, kërkesa për kredi nga kompanitë të rritet, ku nevoja për investime do të zërë pjesën më të madhe.
“Faktorët: “Investime në mjete themelore”, “investime në inventarë dhe kapital qarkullues” dhe “investime në projekte ekologjike” kontribuojnë për një rritje neto të kërkesës për kredi, ndërsa pjesa tjetër ka një efekt neutral”, thuhet në anketë. Është interesante të theksohet se përqindja mesatare e kamatës për kreditë e sapomiratuara për kompanitë në fund të shtatorit ishte 4,36% dhe ajo është rritur në bazë mujore.

Kamata mesatare për kreditë e reja për amvisëritë ishte 4,61%, dhe në nivel mujor shënon rënie. Viti bankar 2025 përfundon me një politikë monetare ende “të shtrënguar”, prandaj gjatë vitit u vu re një rënie më e ngadaltë e përqindjeve të kamatave të kredive.