Peshqit mund të zhduken nga liqeni i Ohrit për shkak të urbanizimit dhe djegies së bregut, askush nuk dënohet

Edhe pse është nën mbrojtjen e UNESKO-s Liqeni i Ohrit, i cili shtrihet në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, përballet me një sërë problemesh. Problemet që rrezikojnë biodiversitetin e liqenit më të vjetër në Evropë janë të natyrave të ndryshme, duke filluar nga ndërtimet ilegale, ndotja e liqenit, derdhja e ujërave të zeza, mbetjet minerare dhe ato urbane. Gjithashtu, djegia e kallamit në breg të liqenit është një fenomen shumë shqetësues për biodiversitetin e liqenit. Ky fenomen me theks të veçantë merr hov të madh sidomos në fillim të sezonit veror ku terrene të caktuara përgatiten për urbanizim, shkruan Portalb.mk.

Çdo sezon veror në Strugë fillon me problemet e vjetra. Tashmë është bërë traditë nga qytetarë të pandërgjegjshëm që çdo vit t’ia mësyjnë djegës së kallamit në brigjet e liqenit të Ohrit me qëllim që ta pastrojnë hapësirën për ndërtime të ndryshme, qofshin private apo komerciale. Ndonëse kallami si bimë e liqenit nuk mbrohet me ligj, në fakt shërben si habitat për shumë specie tjera të gjalla ujore.

Liqeni i Ohrit vlerësohet të jetë një nga liqenet më të vjetër dhe më të thellë të Evropës. Studiuesit mendojnë vjetërsia e liqenit është nga tre deri në pesë milionë vjeç, mosha e jashtëzakonshme e liqenit ka nxitur zhvillimin e një ekosistemi unik me mbi 200 lloje endemike. Ujërat e pastër kristal, të ushqyer nga burimet nëntokësore, ofrojnë një habitat për shumë lloje peshqish, duke përfshirë troftën e Ohrit, një vend i preferuar.

Për ekspertët është shqetësues neglizhenca e autoriteteve dhe vetëdija e ulët e qytetarëve kur bëhet fjalë për mbrojtjen e liqenit. Lista e problemave është e gjatë ndërsa fakt është se pasojat negative të këtyre problemeve janë shumë prezentë por edhe për pak vite do të jenë edhe më të mëdha.

“Nëse vazhdojmë me këtë ritëm të rrezikimit të Liqenit disa vlerësime janë se brenda 10 vitesh pritet zhdukja graduale e disa specieve ujore. Duke filluar nga viti 1950, kur kënetat u shkatërruan me programin kundër malaries, filloi degradimi i liqenit. Por, sot degradimi i tij është më intensiv për shkak të urbanizimit të madh që është problem kyç për liqenin dhe mungesës së menaxhimit të duhur, të ujërave të zeza komunale dhe industriale. Sot është intenziv me urbanizimin e madh, si dhe mungesa e menaxhimit me ujërat e zeza. Çdo qeveri, qoftë në nivel lokal apo nacional, problemi i parë që duhet të zgjidh është menaxhimi i ujërave të zeza”, deklaroi për mediat Prof. Dr. Zlatko Levkov nga Instituti i Biologjisë në Fakultetin Shkencave Matematike-Natyrore në Shkup.

Sipas tij, trofta endemike e Ohrit si lloj peshku grabitqar është kontrolluesi më i madh i llojeve të tjera në liqen.

“Reduktimi i tij do të çojë në përhapjen e vrullshme të specieve të tjera, të cilat do të kontribuojnë në shfaqjen e llojeve të tjera të problemeve në vetë ekosistemin. Të paktën për momentin, probleme të tilla nuk janë shprehur në mënyrë dramatike, por sigurisht që duhet pasur kujdes në të ardhmen, duke pasur parasysh ndryshimet e kushteve klimatike”, thotë ai.

Djegia e kallamit çon në mbushjen e ekosistemit me substanca organike, gjë që më pas krijon një reaksion zinxhir me ndryshime negative në sistem. Kështu u tha në takimin e 15-të evropian diatomologjik që u mbajt në Ohër në fillim të muajit maj, ku morën pjesë 140 shkencëtarë nga 30 vende nga Evropa dhe bota.

Përderisa shoqatat ekologjike vazhdojnë të ngrenë zërin fuqishëm edhe rreth betonizimit të tepërt në bregun e liqenit, nga viti në vit situata vazhdon të përsëritet.

Nga Inspektorati Shtetëror për Mbrojtjen e Mjedisit thonë për Portalb.mk se janë të njoftuar me katastrofën natyrore në Liqenin e Ohrit dhe konkretisht në zonën Strugë-Kalishtë dhe shtojnë se pikërisht për djegën e kallamishteve kanë ndërhyrë.

“Inspektorati Shtetëror për Mbrojtjen e Mjedisit ka lëshuar kallëzim penal në Strugë dhe Ohër dhe në Komunën e Strugës për veprime të mëtejshme, të cilat janë në procedurë gjyqësore për periudhën 2020-2024 që kanë të bëjnë me djegien e kallamishteve (që nuk mbrohen me ligj) dhe ndërtimet buzë liqenit. Lidhur me kërkesën tuaj të karakterit publik, sipas Ligjit për Menaxhimin e Trashëgimisë Natyrore dhe Kulturore Botërore në Rajonin e Ohrit , Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë me numër 75/2010, komunat e Ohrit, Strugës dhe Debarcës dhe organizatat e tyre janë përgjegjëse për mirëmbajtjen, ruajtjen, respektimin dhe shfrytëzimin e drejtë të trashëgimisë natyrore dhe kulturore. Në kuadër të bashkive të sipërpërmendura mendojmë se duhet të ofrohen mundësi për të përfshirë dhe angazhuar të gjithë aktorët për të marrë pjesë në eko-projekte, eko-fushata të ndryshme për të reduktuar ndotjen e mjedisit dhe natyrës në bregun e liqenit si një vend i mbrojtur”, theksuan nga Inspektorati shtetëror për mbrojtjen e mjedisit.

Nga institucioni në fjalë bënë të ditur se është përgatitur Projektligji për ri-shpalljen e Liqenit të Ohrit si zonë e mbrojtur e kategorisë III – Monument i Natyrës nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës, i cili aktualisht është në procedurë parlamentare.

Portalb.mk vazhdimisht ka raportuar për problemet me të cilat përballet Liqeni i Ohrit si dhe konkretisht për problematikën e djegës së kallamit në breg të liqenit. Në video materialin më poshtë nga Portalb.mk është dokumentuar djegia e kallamit para dy vitesh.