Pesë mijë nxënës po testohen për studimin ndërkombëtar TIMSS

Gjithsej 5.000 nxënës nga 150 shkolla në shtet këtyre ditëve testohen për nevojat e TIMSS studimit ndërkombëtar. Siç informoi Biljana Mihajllovska, drejtoreshë e Qendrës Shtetërore të Provimeve (QSHP), fëmijët testet i mbushin në laptopët në pronësi të QSHP-së, për shkak se ashtu urdhërojnë rregullat dhe dërgohen në shkollat ku realizohet testimi, shkruan Meta.mk, njofton Portalb.mk.

“Vitin e kaluar testuam gjithashtu për TIMSS, ndërsa sivjet është studimi longitudinal, i cili zbatohet në shembullin e njëjtë të nxënësve. Testuam nxënës të klasave të pesta, të cilët edhe vjet në klasë të katërt u testuan, ndërsa qëllimi është që të shihet se sa janë avancuar gjatë një viti shkollor. Rezultatet e vitit të kaluar do të jenë gati në fund të këtij viti”, tha Mihajhollvska.

Çdo ditë të punësuarit në QSHP testojnë fëmijë në pesë shkolla.

Vitin e kaluar në prill filloi testimi TIMSS (Trends in International Mathematics and Science Study). Me pjesëmarrjen në studimet ndërkombëtare, maten arritjet e nxënësve dhe fitohen të dhëna të shumta për sistemet arsimore, programet mësimore, procesin arsimor, arritjet e nxënësve, punën e mësimdhënësve, si dhe zbatimin e arritjes së nxënësve në nivel ndërkombëtar.

TIMSS është studim ndërkombëtar për lëndën e matematikës dhe lëndët e shkencave natyrore i cili i mat njohuritë në këto sfera. Testimi përfshin nxënës, prindër, mësimdhënës dhe drejtorë të shkollave.

Më 2 maj të vitit 2023 u ndërpre ky testim për shkak të grevës së të punësuarve në QSHP për paga më të larta. Për shkak të grevës u ndërprenë shumë procese të cilat ky institucion i organizon dhe realizon. I tillë ishte edhe rasti me maturën shtetërore, e cila ligjërisht është kusht për regjistrim në fakultet.

Maqedonia për herë të parë ka marrë pjesë në TIMSS në vitin 2019. Rezultatet treguan se sipas njohurive për matematikë, nxënësit e tanë janë nën mesataren internacionale, me 472 pikë tëfituara. Nën mesataren internacionale jemi edhe për nga arritjet në shkencat natyrore, në shoqëri me Katarin, Azerbejxhanin, Kuvajtin, Filipinet dhe vende të tjera. Arritje më të mira në shkencat natyrore bindshëm kanë nxënësit nga Singapori. Pas tyre pasojnë Koreja, Rusia, Japonia.