Personat me aftësi të veçanta në frontin e mbrojtjes së ambientit

Qendra për këshillimin e fëmijëve dhe adoleshentëve “Support” në kuadër të projektit Eko-ndërgjegjja, të financuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëpunim me organizatën joqeveritare “Active Life Tetovo”, sot në hapësirat e sallës së sportit të shkollës së mesme “Gjoce Stojceski” kanë organizuar punëtori rekreative zbavitëse për rritjen e ndërgjegjësimit për ruajtjen e ambientit jetësor dhe mos hedhjen e mbeturinave në vende jo të përshtatshme, njofton Portalb.mk.

Siç informojnë nga Qendra për këshillimin e fëmijëve dhe adoleshentëve “Support”, punëtoria ka pasur karakter edukativ ku ndër të tjerash personat me nevoja të veçanta kanë mësuar se si të reagojnë edhe të mbrohen në raste të katastrofave natyrore, si zjarret, përmbytjet e ujit. Pjesëmarrësit janë treguar shumë të interesuar për këtë çështje dhe kanë propozuar që të angazhohen në aksione të mëtejme pastrimi.

“Ky është aktiviteti i radhës i punëtorive ndërgjegjsuese të shoqatës ‘Support’, ku më herët kanë organizuar edhe një aksion tjetër pastrimi rreth lumit Shkumbin me të rinjtë, njashtu edhe punëtori edukative me fëmijët e klasave 3, 4 dhe 5. Duke fuqizuar fëmijët me nevoja të veçanta për t’u bërë ambasadorë të ruajtjes së mjedisit, kjo nismë jo vetëm që nxit një kulturë të qëndrueshmërisë, por gjithashtu përkrah gjithëpërfshirjen dhe fuqizimin brenda shoqërisë sonë. Fëmijëve në fund ju u nda certifikata vlerësimi për pjesëmarrjen aktive të tyre”, thuhet në kumtesën nga Qendra për këshillimin e fëmijëve dhe adoleshentëve “Support”.

Bartësi i projektit Lulzim Murtezani ka theksuar se nuk duhet të përjashtohet asnjë kategori kur është në pyetje natyra jonë e përbashkët, edhe që kemi marrë shumë energji pozitive nga përkushtimi i këtyre fëmijëve për mbrojtje të ambientit.