“Përpara Vdekjes”, vepra e re që pritet të ngjitet në skenën e Teatrit të Tetovës

Së shpejti në skenën e Teatrit të Tetovës regjisorja Afërdita Nuhiji do të na shfaqë “Heshtjen e Strindbergut dhe takimin e tij me fjalët e Shekspirit”, “Në Përballje me Vdekjen”. Kjo vepër vjen për të sjellë në dialog dy zëra të mëdhenj letrarë August Strindberg dhe William Shakespeare dhe për të eksploruar çfarë mund të lindë kur heshtja përballet me fjalën, shkruan Portalb.mk.

Në këtë shfaqje, heshtja nuk ka të bëjë vetëm me mungesë zëri; ajo bëhet hapësira ku fjalët zgjohen, gërmojnë, provokojnë dhe përballen. Ajo fton spektatorin të dëgjojë atë që ka qenë fshehur midis rreshtave, të kapë frymëmarrjen midis frazave, dhe të dëshmojë një betejë ku arti, psikika dhe fjala përplasen me ndjeshmëri.

Foto nga vepra “Përpara Vdekjes”. Foto:Teatri i Tetovës (Facebook)
Foto nga vepra “Përpara Vdekjes”. Foto:Teatri i Tetovës (Facebook)

Regjisorja Afërdita Nuhiji për Portalb.mk tha se kjo vepër është një reflektim mbi marrëdhëniet familjare.

“Vepra “Përpara Vdekjes” është një reflektim i thellë mbi marrëdhëniet familjare, fuqinë dhe brishtësinë e njeriut përballë fundit të jetës. Me këtë vepër, synoj të vë në pah jo vetëm dramën e brendshme të personazheve, por edhe pyetjen universale: si e jetojmë ne kohën që na mbetet ose më saktë, kush ishim ne përpara se të vdesnim? Përmes një gërshetimi të veprës origjinale të August Strindbergut me elemente të klasikëve si “Mbretit Lir” dhe elemente nga “Othello”, projekti synon të hapë një dialog të ri mes brezave, ku ironia, dhimbja dhe dashuria bashkëjetojnë në një skenë që flet për të gjithë ne dhe fjala e dramaturgëve bashkë me timen do takojë realitetin e sotëm”, tha Nuhiji.

Foto nga vepra “Përpara Vdekjes”. Foto:Teatri i Tetovës (Facebook)
Foto nga vepra “Përpara Vdekjes”. Foto:Teatri i Tetovës (Facebook)

Ajo edhe më tej shtoi se sfidat nga ideja deri te realizimi janë të shumta.

“Nga ideja deri te realizimi, sfidat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të shumta, duke nisur një herë nga gjendja financiare e komplet projektit, e deri tashmë në krijimin e një harmonie kreative mes aktorëve dhe elementeve skenografike të nevojshme dhe gjitha elementeve të tjera që e ndihmojnë këtë proces. Megjithatë, këto sfida janë shndërruar në forcë që e bën këtë projekt më të vërtetë e më të fuqishëm. Sigurisht për pjesën e realizimit nuk mund të flas ende sepse jemi ende në proces pune por me këtë trupë aktorësh dhe këtë përkushtim që kanë besoj në atë që: do jetë diçka ndryshe”, tha Nuhiji.

Në shfaqje luajnë aktorët: Sami Mustafa në rolin e Petros, Petrit Neziri në rolin e Antonios, Mia Kantardzieva në rolin e Anneté, Arta Zejneli në rolin e Adelé, Sheqerie Ilazinë rolin e Theressé dhe Blerim Ismani në rolin e zoti Durant.

Foto nga vepra “Përpara Vdekjes”. Foto:Teatri i Tetovës (Facebook)
Foto nga vepra “Përpara Vdekjes”. Foto:Teatri i Tetovës (Facebook)