‘Përgjigjja është libri’: vjen Panairi i Librit Prishtina 2024

Pikërisht sot, më datë 5 qershor, çel dyert Panairi i 24-t i Librit “Prishtina 2024” nën moton “Përgjigjja është libri” . Panairi organizohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën dhe bashkëpunimin e vyer nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës dhe Pallati i Rinisë, njofton Portalb.mk.

Ceremonia e hapjes do të bëhet sot në orën 12:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK-së.

Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga 9:00-21:00. Panairi do të zgjasë deri më 9 qershor në orën 19:00.

Në këtë panair do të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora.

Nga Shoqata e Botuesve të Kosovës bëjnë me dije se numri i titujve të rinj pritet të jetë rreth 2000, ndërsa numri i titujve të viteve të fundit do të jetë rreth 6000.

Si zakonisht, përvjetorët që shënohen në Panairin e 24-t të librit janë:

  • 100-vjetori i lindjes së At Zef Pllumit,
  • 100-vjetori i vdekjes së Franz Kafkas.

Po ashtu do të ketë mbi 40 aktivitete, promovime, autorë të pranishëm në panair, ku spikasin:

  • I ftuari i nderit shkrimtari francez Éric Faye, fitues i Çmimit të Madh për roman të Akademisë Franceze dhe i Çmimit Deux-Margots,
  • Botimi dhe promovimi i vëllimit testament të Rexhep Qosjes, po ashtu i ftuar i nderit..

Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës. Ky panair përkon edhe me përvjetorë të rëndësishëm që do të shënohen me aktivitete, përkujtime e debate.

Do të jenë të pranishëm shkrimtarë ndërkombëtarë e kombëtarë, profesionistë të librit, botues, përkthyes e librarë.

Hyrja për vizitorët: pa pagesë!