Përfaqësuesja e Minesotës Ilhan Omar u sulmua gjatë një takimi me qytetarët
Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara për Minesotën, Ilhan Omar, u spërkat me një substancë të panjohur nga një sulmues, teksa po bënte thirrje për shfuqizimin e Agjencisë së Imigracionit dhe Doganave (ICE) gjatë një takimi publik në Minneapolis, transmeton Portalb.mk nga AlJazeera.
Omar nuk u lëndua në sulmin e së martës dhe autoritetet njoftuan se sulmuesi,një burrë, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, është arrestuar nën akuzën për sulm të shkallës së tretë. Autoritetet nuk dhanë detaje të mëtejshme mbi lëngun me të cilin u spërkat Omar.
Sulmi i shkurtër u regjistrua në video nga C-SPAN dhe tregonte një burrë që vrapon drejt podiumit të Omar-it, ndërsa ajo po bënte thirrje për shfuqizimin e ICE-it dhe dorëheqjen e sekretares së Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), Kristi Noem.
“ICE nuk mund të reformohet. Nuk mund të rehabilitohet; ne duhet ta shfuqizojmë ICE-in njëherë e përgjithmonë. Dhe sekretarja e DHS-së, Kristi Noem, duhet të japë dorëheqje ose të përballet me shkarkim,” tha Omar pak sekonda para sulmit.
Sulmuesi dëgjohet duke thënë “Duhet të japësh dorëheqjen”, ndërsa e spërkat atë me një shiringë që përmbante një lëng me ngjyrë të errët.
Ai u kap menjëherë nga oficerët e sigurisë, mes duartrokitjeve të pjesëmarrësve. Një person nga publiku dëgjohet duke thënë: “O Zot, ai e spërkati me diçka”, ndërsa të tjerët shprehën tronditje rreth Omar-it.
Omar u tha mbështetësve të saj se ishte “mirë”, pavarësisht se disa thanë se substanca e spërkatur kishte një erë “të tmerrshme” dhe se ajo duhej t’i nënshtrohej një kontrolli mjekësor.
“Ja realiteti që njerëz si ky burrë i shëmtuar nuk e kuptojnë: ne jemi të fortë si Minesota dhe do të mbetemi të qëndrueshëm përballë çdo gjëje që mund të na hedhin,” u tha ajo pjesëmarrësve që brohorisnin, teksa u kthye në podium për të vazhduar thirrjet për dorëheqjen e Noem-it.
Omar, kongresmene demokrate, shkroi në X menjëherë pas përfundimit të ngjarjes: “Jam mirë. Jam një e mbijetuar, ndaj ky provokator i vogël nuk do të më frikësojë që të ndalem së bëri punën time. Nuk i lejoj ngacmuesit të fitojnë. Mirënjohëse për zgjedhësit e mi të jashtëzakonshëm që u rreshtuan pas meje. Minesota e fortë.”
Sulmi ndaj Omar-it u dënua menjëherë në rrjetet sociale.
“I papranueshëm. Dhuna dhe frikësimi nuk kanë vend në Minneapolis. Mund të mos biem dakord pa rrezikuar njerëzit,” shkroi në X kryetari i Minneapolis-it, Jacob Frey, demokrat.
Sulmin e dënoi edhe përfaqësuesja nga Karolina e Jugut, Nancy Mace.
“Jam thellësisht e shqetësuar kur mësova se deputetja Ilhan Omar u sulmua sot gjatë një takimi me qytetarët. Pavarësisht se sa fuqishëm nuk pajtohem me retorikën e saj – dhe nuk pajtohem, asnjë zyrtar i zgjedhur nuk duhet të përballet me sulme fizike. Kjo nuk jemi ne,” shkroi Mace në X.
Omar, amerikane me origjinë somaleze dhe ish-refugjate, ka qenë më herët objekt kritikash nga konservatorët amerikanë për kundërshtimin e luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza dhe për qëndrimet e saj më progresive në çështje si reforma e imigracionit.
Ajo është gjithashtu kundërshtare e zëshme e Operacionit “Metro Surge”, aksion i madh i ICE-it i nisur në dhjetor për arrestimin e emigrantëve pa dokumente në qytetin e Minneapolis-it.
Përplasjet mes ICE-it dhe agjentëve të Doganave dhe Mbrojtjes së Kufijve me banorët e qytetit kanë çuar këtë muaj në vrasjen e dy shtetasve amerikanë nga agjentë federalë, përfshirë infermieren 37-vjeçare të kujdesit intensiv, Alesx Pretti, të shtunën.
Omar është gjithashtu e papëlqyer nga presidenti Donald Trump, i cili muajin e kaluar e quajti atë “mbeturinë” dhe tha se do të hetonte financat e saj në lidhje me një skandal të pretenduar korrupsioni që përfshin anëtarë të komunitetit somalo-amerikan.
Omar bëri histori në vitin 2018 si njëra nga dy gratë e para myslimane të zgjedhura në Kongresin e SHBA-së. Ajo u rizgjodh për një mandat të tretë në vitin 2024, duke përfaqësuar Distriktin e 5-të Kongresional të Minesotës, që përfshin Minneapolis-in dhe zonat përreth.
Ajo është gjithashtu nënkryetare e Grupit Progresiv në Dhomën e Përfaqësuesve, grup prej rreth 100 ligjvënësish me “ideale progresive”, si reforma e imigracionit, kujdesi shëndetësor universal dhe arsimi universitar pa borxhe.