Nuk e kuptoj përse viteve të fundit flitet dhe shkruhet shpesh për identitetin e shqiptarëve? Dhe, gjersa ngritja e kësaj teme është e kuptueshme sa herë që bëhet nga ata që na duan të vdekur, e njëjta duket banale kur e ngrenë tukulukat shqipfolës, duke qenë se, të paktën gjer më sot, nuk na mungon asnjë prej tipareve që na dallojnë si bashkësi etnike. Ne kemi një emër të vetëm kolektiv, kemi prejardhje të përbashkët, që nuk është mit, por realitet; kemi një kujtesë të vetme historike; kemi tipare diferencuese të përbashkëta kulturore; kemi ndjenjën e solidaritetit dhe lidhjen e përhershme që ka mbijetuar edhe pas tkurrjeve të dhunshme të sinoreve stërgjyshore.
E keqja është se kjo e dhënë e kontestueshme vetëm prej budallenjsh, mund të ndryshojë që nesër, nëse tiparet identitare nuk i ruajmë me veprime institucionale dhe nëse i pranojmë pa asnjë filtrim modelet e huaja kulturore që i sjell hovi i pandalshëm i globalizimit.
Megjithatë, edhe në këso rrethanash kur hegjemonizmat kulturore rrezikojnë edhe etnitë shumë më të përparuara se kjo jona, mund të mbrojmë vlerat shpirtërore e material, nëse e shërojmë kompleksin e ileteve të robërve dhe vasalëve me tituj kallpë; nëse i margjinalizojmë tregtarët e shpirtit shqiptar; nëse i mbajmë mashat e tjetrit larg institucioneve kulturore dhe arsimore, që janë të thirrura të mbrojnë substancën etnike; nëse nuk bëhemi pre e pallavrave të intelektualëve të shpifur; nëse nuk u besojmë opinionistëve me mungesë dinjiteti; nëse nuk i ndjekim kopeas zuzarët që i kanë zët shenjat e etnisë; nëse presim ditë më të mira nga paria tenderokrate që shet interesat e kombit për çifliqe; nëse përbuzim shkollat shqipe dhe përkrahim pa asnjë kontroll hapjen vend e pavend të shkollave të huaja, ku gjuha dhe historia shqiptare kanë statusin e lëndëve minoritare, përkundër të dhënës së nxënësit janë kryesisht shqiptarë.
Nuk është e rastit që kjo kabile neohaxhiqamilësh, pas qindra vitesh përpiqen të ndryshojnë pikëpamjet rilindëse dhe të vërtetat mbi pushtuesit shekullorë të trojeve tona, të studiuara, të përjetuara dhe të përjetësuara nga pena titanësh, që dhanë gjithçka për ruajtjen e identitetit tonë dhe trashëgimisë shpirtërore e materiale, në krye me Gjuhën Shqipe.
Shi për këtë, le t’mos na mashtrojnë kosmopolitët e rremë, që na i kripin mend se sot qenka turp të flitet për çështje identitare, se të tjerët paskan ngritur dorë nga mbrojtja e tipareve të kush jam-it, e më the e të thash, sepse po ndodh krejtësisht e kundërta, sepse identiteti është i shenjtë për gjithë njerëzit normalë të botës, kurse dallimi ndërmjet nesh dhe popujve të qytetëruar nuk qëndron gjetkë, pos në të dhënën se ata mbrojnë vetveten me mekanizma institucionalë, kurse ne me lojën me zare…
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.