Për të reduktuar varësinë nga WizzAir, Qeveria e RMV-së do të subvencionojë linjat sipas destinacioneve dhe jo sipas kompanive

Qeveria do të ringjallë trafikun ajror në qiellin e Maqedonisë me një sërë masash. Plani është që nga janari i vitit të ardhshëm të rritet me 200 mijë pasagjerë që vijnë në vend dhe me subvencione të inkurajohen sa më shumë kompani “serioze” që të përfshihen në transportin e pasagjerëve drejt dhe nga vendi, transmeton Portalb.mk.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, në një konferencë për media në Qeveri informoi se në seancën e Qeverisë është miratuar program, i cili duhet të fillojë nga 1 janari 2025 dhe do të zgjasë deri më 31 dhjetor 2027. Ai parasheh më shumë mjete për trafikun ajror, ndryshime në subvencione, si dhe kushtet që duhet të plotësojnë kompanitë që do të angazhohen në transportin e udhëtarëve.

Thirrja për subvencione do të publikohet javën e ardhshme dhe mund të aplikojnë të gjitha linjat ajrore të interesuara.

Kushte të reja

“Me programin e ri është planifikuar një shumë vjetore prej 125 milionë denarë, ose gjithsej për program janë planifikuar 375 milionë denarë, që është rritje nga programi i mëparshëm për rreth një milion euro. Së dyti, përshtaten kushtet për linjat ajrore pjesëmarrëse. Duhet të kenë transportuar të paktën 5 milionë pasagjerë në vitin 2023 dhe të kenë të paktën 10 milionë euro fitim. Duhet të bëhet fjalë për linja ajrore serioze”, thotë Nikolloski.

“Ai bën të ditur se në programin e ri hiqet kërkesa për funksionim të detyrueshëm të destinacionit, pas përfundimit të periudhës së mbështetjes, për aq kohë sa ishte parashikuar mbështetja financiare. Kjo ka qenë arsyeja kryesore që ka rënë numri i udhëtarëve nga aeroporti i Ohrit dhe i Shkupit”, thotë ministri.

Subvencionimi i destinacioneve, jo kompanive

Nikolloski paralajmëroi edhe ndryshime në aspektin e subvencioneve – thotë se subvencionohen destinacionet, e jo kompanitë, siç ishte më parë.

“Ne shmangim praktikën e subvencionimit të disa kompanive ajrore. Thirrja do të jetë e hapur për të gjitha linjat ajrore të kualifikuara, për çdo destinacion të veçantë. Në këtë mënyrë zgjidhim problemin e varësisë nga një linjë ajrore. Një nga arsyet e rënies së numrit të pasagjerëve nga aeroporti i Shkupit dhe i Ohrit, i cili këtë vit fatkeqësisht do të jetë mbi 330 mijë pasagjerë, është problemi që ka “Wizer” me avionët e vet, i cili në asnjë mënyrë nuk është lidhur me Maqedoninë, por është një pengesë objektive që ata e kanë në nivel global, korporativ. Për të evituar varësinë nga vetëm një kompani në të ardhmen, ne po vendosim subvencione për destinacion”, thotë Nikolloski.

Një tjetër ndryshim po vjen. Deri më tani është subvencionuar për pasagjer në nisje nga Maqedonia dhe tash e tutje do të subvencionohet me mbërritjen në vend. Qëllimi është që sa më shumë turistë të vijnë në Maqedoni në mënyrë më të lehtë dhe më të lirë.

Mbështetja po rritet gjithashtu – nëse më parë ishte 7 euro për pasagjer nga aeroporti i Shkupit – tani do të jetë 9 euro për pasagjer. Po ashtu, nëse më parë ishte 4.5 euro për pasagjer nga aeroporti i Ohrit, tani do të jetë 12 euro, për të stimuluar turizmin.

Destinacionet e reja mund të jenë edhe jashtë BE-së. Deri më tani, vetëm fluturimet brenda aeroporteve të BE-së janë subvencionuar.

“Në këtë mënyrë presim që të tërheqim udhëtarë dhe turistë nga Lindja e Mesme dhe destinacione të tjera që janë të interesuar të vizitojnë Maqedoninë”, thotë Nikolloski.

Aktualisht përveç “Wizer” subvencione nga shteti maqedonas merr edhe “Lufthansa” gjermane për mirëmbajtjen e linjës Shkup-Frankfurt.

Me tenderin e fundit, Wizer mori subvencione për të mirëmbajtur fluturimet për në Luksemburg dhe Salzburg, por për shkak të problemeve me motorët Pratt dhe Whitney në një pjesë të flotës a321 të gjeneratës së re të avionëve Airbus, përafërsisht 40 prej tyre Avionët janë ndalur për shkak të kontrolleve të fabrikës, ndaj “WizzAir” nuk ka mundur të përmbushë detyrimet. Përveç kësaj, në vend të gjashtë, pesë avionë fluturojnë nga baza e Shkupit këtë verë. Janë paralajmëruar edhe shkurtime shtesë WizzAir planifikon që në tremujorin e fundit të këtij viti të zvogëlojë kapacitetin e transportit të udhëtarëve nga Aeroporti i Shkupit për 22,6%, përkatësisht ta zvogëlojë për 125.726 ulëse në krahasim me vitin e kaluar. Njëkohësisht nga Ohri, numri i vendeve të lira do të ulet për 32.6% ose 17.858.