Për të reduktuar ndotjen e ajrit duhet të ndryshohet sistemi i ngrohjes dhe të ndërtohen centrale të gazit, thotë Mickoski

Mënyra e vetme për të reduktuar emetimin e grimcave të dëmshme është ndryshimi i sistemit të ngrohjes së shtëpive nga nëntori në mars, thotë kryeministri Hristijan Mickoski në pyetjet e gazetarëve se çfarë masash mund të marrë Qeveria për uljen e ndotjes së ajrit, transmeton Portalb.mk.

Ai përmendi ngrohjen qendrore si një mundësi, e cila, siç tha, kërkon ndërtimin e centraleve të gazit.

“Po punojmë për ndërtimin e centraleve të gazit. Një në pesëmbëdhjetë investitorë është i tillë, i interesuar për ndërtimin e sentraleve të tilla të gazit. Por do të duhet kohë, të paktën dy deri në tre vjet që gjithçka të funksionojë. Të ndërtohen tubacionet e ngrohjes, ndoshta më shumë, ndoshta pesë apo gjashtë vjet”, tha Mickoski në përgjigje të pyetjes së gazetarëve.

Kryeministri shprehu keqardhjen që nuk është bërë asgjë për uljen e ndotjes së ajrit.

“Më vjen keq që askush nuk u kujdes për këtë. Tani shoh brejtës politikë që përpiqen të mbledhin pikë në mënyrën e tyre brejtëse. Por ata nuk do të kenë sukses. Ne do të punojmë në këtë drejtim, duhet të ndryshojmë mënyrën e ngrohjes së shtëpive tona dhe ta bëjmë atë të disponueshme për të gjithë qytetarët në të njëjtën kohë. Të kenë një mënyrë për të zgjedhur se si do të ngrohin shtëpitë e tyre”, shtoi Mickoski.

Ndërkohë, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) u bën thirrje të gjitha institucioneve kompetente, komunave dhe Qytetit të Shkupit dhe komunave të Qytetit të kryejnë më intensivisht detyrimet e tyre sipas “Planit të Veprimit për sezonin e ngrohjes 2024-2025″. Përkatësisht, para fillimit të sezonit të ngrohjes, me propozim të MMJPH-së Qeveria e miratoi Plan Veprimi, i cili parashikon masa parandaluese afatshkurtra që do të mundësojnë reduktimin e emetimeve nga sektorët e detektuar që kanë kontributin më të madh në rritjen e emetimeve të grimcave të ngurta, dhe rrjedhimisht përqendrimet e larta, të cilat tejkalojnë standardet e përcaktuara.

“Ministria e Mjedisit Jetësor, në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit, zbaton kontrolle të shtuara dhe të jashtëzakonshme në objektet industriale me A- leje të integruara ekologjike. Cilësia e ajrit monitorohet vazhdimisht dhe publiku informohet rregullisht për situatën dhe masat e rekomanduara mbrojtëse. Sipas Raporteve nga Inspektorati Shtetëror për Mjedis, në territorin e qytetit të Shkupit, të gjitha subjektet i janë nënshtruar kontrolleve të jashtëzakonshme, vazhdojmë me kontrolle të paparalajmëruara te subjektet që janë përgjegjëse për raporte mjedisore.  Në fabrikën e çimentos USJE janë kryer dy inspektime të jashtëzakonshme të paparalajmëruara: një pas orës 19:00 dhe një gjatë orarit të punës. Është bërë edhe kontrolli i mbeturinave që hyjnë në fabrikën e çimentos USJE-së. Deri më tani nuk ka devijime në parametrat të cilat janë vendosur në A – lejen. Njoftohet publiku se shumica e objekteve të mëdha që kanë A – leje të integruar ekologjike në territorin e qytetit të Shkupit, dhe për të cilat është përgjegjës Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, nuk punojnë ose punojnë me kapacitet të reduktuar. Për momentin janë plotësisht të mbyllura: Makstil SHA, Bauer BG, Gama Gradba – Baza e asfaltit Studeniçan, NP Rrugicat dhe Rrugët, Radkom, Filip inzhinerin, BAZA E asfaltit Agread SHPKNJP Petrovec, Baza e Asfalitit Vato shpk Studeniçan Shkup. Në Fabrikën e Çimentos USJE SHA Shkup punon vetëm një furrë (furra 3), dhe për 20 ditë të dyja nuk do të punojnë për shkak të aktiviteteve të riparimitQeveria dhe Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor janë duke punuar drejt vendosjes së bashkëpunimit konstruktiv dhe mobilizimit të të gjitha palëve të interesuara – institucionet shtetërore, komunat, organizatat joqeveritare dhe sektori i biznesit për të mirën e të gjithëve”, thonë nga MMJPH.

Qyteti i Shkupit nga ana tjetër thonë se janë i vetmi institucion që vepron gjatë ndotjes së ajrit dhe rrezikimit të mjedisit jetësor. Inspektorët e Qytetit të Shkupit kanë vazhduar me mbikëqyrjen inspektuese në terren 24 orë në ditë, me qëllim të uljes së ndotjes së ajrit dhe mbrojtjes së mjedisit.

“Në kushtet e rritjes së ndotjes së ajrit të qytetit të Shkupit, përveç Inspektoratit të Qytetit të Shkupit, në qytet janë gjithsej 14 institucione tjera që kanë kompetencë dhe obligim të veprojnë në rast të ndotjes së mjedisit dhe rrezikimi i shëndetit të qytetarëve. Prej tyre, Ministria e Mjedisit, MPB, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Inspektorati Shtetëror i Ndërtimit, shërbimet inspektuese të dhjetë komunave në qytetin e Shkupit”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Në njoftim shtohet se deri më tani çdo ditë reagon vetëm Qyteti i Shkupit, “ndërsa të tjerët nuk veprojnë, edhe pse e kanë obligim ligjor”.

“Gjatë javës së kaluar, inspektorët e mjedisit jetësor të qytetit të Shkupit dhe inspektorët komunalë kanë shqiptuar gjoba për më shumë se 20 autorë, ndërsa çdo javë janë shqiptuar mesatarisht nga 20 deri në 30 sanksione. Qyteti i Shkupit vitin e kaluar ka ngritur disa kallëzime penale për hedhje dhe djegie të mbeturinave të rrezikshme dhe rrezikim të mjedisit jetësor, për përgjegjësi penale kundër autorëve të konstatuar hedhjen e mbeturinave të rrezikshme, llamarinave të asbestit dhe mbeturinave tjera ndërtimore, përfshirë mbetjet e rrezikshme kancerogjene në brez të gjelbër, me të cilat dëmton qytetin dhe rrezikon jetën dhe shëndetin e qytetarëve të Shkupit”, sqarojnë nga Qyteti i Shkupit.

Foto: Printscreen nga www.iqair.com (8 janar 2025 në ora 09:42)
Foto: Printscreen nga www.iqair.com (8 janar 2025 në ora 09:42)

Sipas platformës për matjen e cilësisë së ajrit “I-Q Air”, Shkupi sot është në vendin e 7 në listën e qyteteve me ajrin më të ndotur në botë. Sipas matjeve, përqendrimi i grimcave PM 2.5 aktualisht është 19.4 herë më i lartë se vlera vjetore e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Shkupi këtë sezon dimëror shpesh dominon në mesin e qyteteve më të ndotura në Evropë dhe në botë, sipas “IQ Air”.

Në dhjetor, në kryeqytet u mbajtën dy protesta kundër ndotjes së ajrit. Qytetarët kërkuan qasje urgjente, sistematike ndaj ndotjes së ajrit, përmes zbatimit të masave efikase që do të mbrojnë shëndetin e qytetarëve.

Sipas raportit të UNICEF-it, në Maqedoninë e Veriut, vdekjet e të porsalindurve nga ndotja e ajrit janë 11,6 përqind ose 1 në 9 vdekje të fëmijëve nën moshën njëvjeçare.

Sipas raportit të vitit 2023 të Institutit për Shëndet Publik të RMV-së, pothuajse 18 përqind e mortalitetit të përgjithshëm në Maqedoninë e Veriut mund t’i atribuohet ekspozimit ndaj përqendrimeve aktuale të grimcave PM-2.5.