PDK-ja përjashtoi bashkëpunimin me LVV-në
Partia Demokratike e Kosovës do të hyjë në zgjedhjet parlamentare të 9 Shkurtit për t’i fituar ato dhe për të qeverisur me kandidatin e saj Bedri Hamza, raporton Klan. Por nëse nuk do të arrijë të sigurojë votat e nevojshme për të qeverisur e vetme, kryetari i kësaj force, Memli Krasniqi thotë se nuk e përjashton bashkëpunimin edhe me forca të tjera.
“PDK-ja hynë në garë për t’i fituar këto zgjedhje, për të marrë besimin qytetar, për të dalë e para dhe normalisht pas asaj nëse ka hapësirë për të diskutuar me partitë që janë të përafërta me bindjet tona politike programore, ideologjike dhe me programin që do ta bartë Hamza, normalisht që kemi bërë në të kaluarën dhe do të bëjmë edhe në të ardhmen”, tha Krasniqi.
Krasniqi thotë se PDK nuk ka vija të kuqe për forcat me të cilat mund të bashkëpunojë, por thotë se e sheh thuajse të pamundur që një gjë të tillë ta bëjë me Vetëvendosjen në pushtet.
“Nuk kemi preferenca me pas çfarëdolloj bashkëpunimi me VV-në, sepse hendeku mes nesh i të kaluarës, por edhe i tashmes është shumë i madh dhe nuk do të funksiononte një marrëveshje e tillë. Andaj fokusi jonë është qytetari, do të mundohemi që të marrim besimin e tyre, është verdikti i tyre ai që në fund vendos se kush duhet të qeverisë. Por jam i bindur që ne do ta krijojmë shumicën shqiptare”, tha ai.
Krasniqi bëri të ditur se shumë shpejt kandidati i PDK-së për kryeministër Bedri Hamza do të nisë një tur takimesh në gjithë vendin.