Pas shtatë viteve në arrati i dyshuari Dejan Davidovski për “27 Prillin” u arrestua në pikën kufitare “Deve Bair”

Pas gati shtatë viteve në arrati, mëngjesin e djeshëm në pikën kufitare “Deve Bair” në hyrje nga Bullgaria në Maqedoninë e Veriut, u arrestua Dejan Davidovski-Desho, i cili kërkohej me fletarrest ndërkombëtar për dhunën në Kuvend më 27 prill 2017, transmeton Portalb.mk.

Informatat për 360 Gradë e kanë konfirmuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, nga ku kanë bërë të ditur vetëm inicialet, të cilat korrespondojnë me Davidovskin.

“Më datë 25.8.2024 në orën 10:30 në ‘Deve Bair’ në hyrje të RMV-së është paraqitur vetë D.D (43) nga Shkupi dhe gjatë kontrollit të rregullt të pasaportave është konstatuar se i njëjti është regjistruar në listën e ndalimit me masën prej ‘heqje e lirisë’ për lëndë penale nga neni 313 të Kodit Penal dhe për të cilën Gjykata Themelore Shkup 1 (tani Gjykata Themelore Penale Shkup), më 18.12.2017 është masë e caktuar e paraburgimit, pas së cilës personi privohet nga liria”, njoftuan nga MPB-ja.

Sipas njoftimeve të mediave, Davidovski i cili kërkohej për veprën penale kërcënim terrorist i rendit kushtetues dhe sigurisë, pas një arratisjeje shtatëvjeçare është dorëzuar në polici në pikën kufitare “Deve Bair”.

Kujtojmë që, pesë vjet më parë më 12 prill 2019, autoritetet suedeze, duke vepruar sipas fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Interpoli, arrestuan Davidovskin. Atij iu caktua masa e paraburgimit për ekstradim këtë vend skandinav, por Gjykata e Lartë e atjeshme vendosi të refuzojë kërkesën e autoriteteve maqedonase për ekstradim dhe e liroi.

Dalja e Davidovskit në pikën kufitare “Deve Bair” ndodh dy muaj pas ardhjes në pushtet të VMRO-DPMNE-së në vend. Në mitingjet që kjo parti ka mbajtur gjatë fushatës zgjedhore, shpesh dëgjohej retorikë se të akuzuarit për “27 Prillin” dënoheshin padrejtësisht.

Presidentja aktuale e shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova, si kandidate për pozitën e mbështetur nga VMRO-DPMNE, në ditën e dytë të fushatës zgjedhore për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, në një tubim në Strugë tha se nëse ajo bëhet presidente e shtetit, do të falë të dënuarit e “27 Prillit”.

Muajin e kaluar televizioni Tellma, referuar burimeve të saj, bëri të ditur se ushtruesi i detyrës së drejtorit të ri në Drejtorinë për Ekzekutim të Sanksioneve, Aleksandar Pandov, ka miratuar disa kërkesa për pezullim të përkohshëm të dënimeve me burg për të dënuarit nga rasti “27 Prilli” për dhunën në Kuvend.

Pandov e konfirmoi informacionin në një konferencë për media më 22 korrik, por nuk tha saktësisht se sa kërkesa janë miratuar dhe as kujt i referohen.

Tellma duke iu referuar burimeve nga Drejtoria për Ekzekutim të Sanksioneve, raportoi se në mesin e të dënuarve nga “27 Prilli” të cilëve Pandov ua ka nënshkruar kërkesat për pezullimin e vuajtjes së dënimit është edhe ish-ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov,, dhe se nga prapa hekurave u lëshua edhe i dënuari Dushko Lazarov.

Administata e burgut informoi se shumica e kërkesave që janë miratuar janë për fizioterapi.

Kujtojmë se nga dhuna e 27 prillit në Kuvend, u lënduan mbi 100 persona në mesin e tyre edhe deputetë dhe gazetarë. Ndër deputetët më së shumti që kanë qenë të lënduar ka qenë Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët, Zoran Zaev i LSDM-së, Oliver Spasovski dhe deputetë të tjerë të LSDM-së.