Pas Dibrës ekspozita udhëtuese e piktorit Bashkim Mexhiti ndalet në Kërçovë

Në Pallatin e Kulturës në Kërçovë do të hapet ekspozita udhëtuese e piktorit dhe profesorit Bashkim Mexhiti, i cila para do kohe qëndroi e ekspozuar para dibranëve, pas Kërçovës ekspozita do të mbyll ciklin udhëtues në Gostivar, njofton Portalb.mk.

Ekspozita do të hapet më datë 9 maj, ditën e enjte në orën 18.00 në Pallatin e Kulturës në Kërçovë dhe do rrijë e hapur për artdashësit për dhjetë ditë e radhë.

Bashkim Mexhiti është nga Gostivari, njëri ndër themeluesit e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Tetovës ku vazhdon të japë kontribut profesional deri në ditët e sotme.

Ai në mënyrë aktive merret me pikturë dhe skulpturë.

Në krijimtarinë artistike ka realizuar mbi 15 ekspozita personale brenda dhe jashtë vendit, ku është vlerësuar pozitivisht kualiteti i tij krijues nga kritika profesionale e artit. Gjithashtu të shumta janë edhe ekspozitat kolektive, bienale dhe simpoziume të ndryshme artistike.

Është njëri nga iniciatorët për themelimin e Shoqatës së Artistëve Figurativë ‘Draudacum’ në Gostivar duke dhënë kontributin e tij deri në regjistrimin e sajë si shoqatë në nivel republikan të RMV-së gjatë viteve 1999 – 2000, dhe për katër vite radhazi, deri në vitin 2004 ishte edhe kryetari i parë i po të njëjtës shoqatë.

Afishe e ngjarjes
Afishe e ngjarjes