Pas dhjetë vjetësh deponitë e egra do të jenë një rastësi: Propozim-strategjia për mbeturinat me plane ambicioze

Deponitë jo standarde dhe të egra, një nga sfidat më të mëdha të vendit për sigurimin e një mjedisi jetësor të shëndetshëm, deri në vitin 2033 do të reduktohen vetëm në dukuri të rastësishme, parashikon kështu propozim – strategjia e re kombëtare për menaxhimin e mbeturinave, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Dokumenti parashikon se në pesë vitet e ardhshme mbeturinat duhet të grumbullohen nga të paktën 97 përqind e amvisërive në vendin tonë, ndërsa shkalla e grumbullimit të rritet nga 71 që është aktualisht, në të paktën 95 përqind e mbeturinave që ato i gjenerojnë. Gjatë kësaj periudhe duhet të vihen në funksion të paktën katër deponi rajonale dhe të mbyllen deponitë jo standarde dhe të egra në të cilat është vërtetuar prani e mbeturinave të rrezikshme.

Dokumenti është në fazën e përpilimit, ndërsa muajin e kaluar u prezantua edhe për publikun. Ai duhet të kontribuojë në krijimin e një ekonomie qarkulluese në menaxhimin me mbeturinat dhe të vendosë fokusin, para së gjithash, në reduktimin e sasisë së mbeturinave të cilat i gjenerojnë qytetarët. Një nga qëllimet është edhe që ta stimulimojë ripërdorimin dhe riparimit dhe ta dekurajojë përdorimin e gjësendeve për një përdorim, sidomos ato të prodhuara nga plastika.

Bojana Stanojevska Pecurovska nga Qendra për Ndryshime Klimatike është e mendimit se është një lajm shumë i mirë për vendin që më në fund është dhënë mundësia që ekspertë të njohur të punojnë në përpilimin e këtij dokumenti, bashkë me të cilin do të hartohet Strategjia Kombëtare për Menaxhimin e Llumit dhe do të azhurnohen planet rajonale për pesë rajonet planore të cilëve u përfundon afati në vitin 2026, por që janë të nevojshme për menaxhimin rajonal të mbeturinave dhe Planin kombëtar për parandalimin e gjenerimit të mbeturinave, por thotë edhe se organizatat e shoqërisë civile kanë vërejtje për përmbajtjen e tij, të cilat i kanë dorëzuar edhe pranë Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

“Strategjia është një dokument i mirë dhe ofron një vizion se ku duhet të jetë shteti në menaxhimin e mbeturinave në dhjetëra vjet. Por si vërejtje mund të thuhet se i kushton shumë pak rëndësi menaxhimit rajonal, selektimit të llojeve të ndryshme dhe parandalimit të gjenerimit të mbeturinave, që përndryshe është një trend i madh në Evropë. Mendoj se Strategjia Kombëtare duhet të përmbajë drejtime dhe masa më specifike për të gjitha këto çështje për atë se ku dhe si duam të arrijmë”, thotë Stanojevska Pecurovska.

Ajo shton edhe se harmonizimi i legjislacionit kombëtar me legjislacionin evropian duhet të jetë një prioritet më i madh sepse kjo është mënyra se si vërtetë do të përmirësohet menaxhimi me mbeturinat dhe shton se dokumenti e ndjek shumë mirë hierarkinë e menaxhimit me mbeturinat dhe parashikon masa për reduktimin e ndotjes, për ripërdorimin dhe riciklimin, por nuk e thekson aq sa duhet punën e pushtetit lokal dhe ndërmarrjeve publike komunale që kanë rol kyç në këto procese.

Kjo i referohet sidomos dispozitave të projekt-dokumentit, të cilat parashikojnë që deri në vitin 2031për një periudhë shtatëvjeçare të grumbullohen të gjitha mbeturinat komunale nga të gjitha amvisëritë në vendin tonë, ndërsa deri në vitin 2023 të vendoset grumbullimi i veçantë i mbeturinave të rrezikshme të gjeneruara nga amvisëritë në të gjitha komunat.

Deri në vitin 2036 duhet të ketë selektim dhe grumbullim të ndarë të mbeturinave të thata dhe të lagëta nga amvisëritë në 60 përqind të zonave urbane dhe 25 përqind të zonave rurale, ndërsa për mbeturinat industriale të padëmshme dhe mbeturinat ndërtimore duhet të ketë deponi standarde për atë lloj mbeturinash. Një nga sfidat më të mëdha sot, për sa i përket trajtimit të mbeturinave e që janë deponitë e egra, do të jenë vetëm një rastësi. Që e gjithë kjo të bëhet realitet duhet të përforcohen kapacitetet e ndërmarrjeve komunale, të cilat mbeturinat duhet t’i shohin si burim, ndërsa nga ana tjetër të sigurohet mbikëqyrje dhe kontroll adekuat inspektues si në nivel lokal ashtu edhe qendror, që do të sigurojë se procesi do të rrjedhë ashtu siç duhet.

“Duhet të fokusohemi në menaxhimin rajonal dhe të fillojmë me selektimin e mbeturinave. Fillimisht kjo duhet të bëhet për plastikën, letrën dhe qelqin, por shumë shpejt edhe për mbeturinat e biodegradueshme, për të cilat Strategjia nuk ofron asnjë zgjidhje për atë se si të trajtohen. Ato marrin pjesë në përqindjen më të madhe të mbeturinave komunale nga amvisëritë, ndërkohë për trajtmimin e tyre ka shumë pak zgjidhje. Për këto mbeturina nevojitet ndryshim më i madh i sjelljes së qytetarëve që ato të trajtohen në mënyrën e duhur, sepse krijojnë problem të madh në deponitë”, thotë Stanojevska Pecurovska.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor theksojnë se Strategjia Kombëtare për Menaxhimin e Mbeturinave paraqet një pikënisje për përgatitjen dhe zbatimin e një sistemi të integruar dhe ekonomik për menaxhimin e mbeturinave në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe atë të BE-së. Dokumenti i përcakton udhëzimet për menaxhimin e duhur të mbeturinave të ngurta për 12 vitet e ardhshme, bazuar në parimet e qëndrueshmërisë dhe shërben si bazë për menaxhimin e të gjitha mbeturinave. Sipas Ministrisë trajtimi i mbeturinave në vend, si një nga çështjet më urgjente të mjedisit jetësor, është i mundur vetëm me ndërtimin dhe funksionimin e sistemit rajonal të menaxhimit të mbeturinave.

Sipas përllogaritjeve dhe analizave të ekspertëve si mënyrë më ekonomike dhe fitimprurëse u tregua grupimi i komunave dhe rajoneve në vend në pesë sisteme rajonale, me pesë deponi sanitare rajonale. Këto janë rajoni lindor dhe verilindor dhe deponia në Meçkuevci në Sveti Nikole, rajoni i Pollogut me deponinë në Rusino, rajoni i Pellagonisë dhe Jugperëndimor dhe deponia në Meglenci, Komuna e Novacit, rajoni i Vardarit dhe Juglindor dhe deponia në Dobroshinci dhe Drislla në Shkup, theksojnë nga Ministria.

Për momentin më e avancuar është procedura për deponinë rajonale në Sveti Nikole, për të cilën pritet shpallja e tenderit për kompaninë që do ta ndërtojë. Për deponitë në Rusino dhe Meglenci projektet janë në realizim e sipër me fonde nga kredia e BERZH-it, ndërsa në fazë përfundimtare është përgatitja e dokumentacionit të tenderit. Së shpejti pritet të shpallen tenderët për rindërtimin e sistemit regjional në Rusino dhe stacionin e grumbullimit në Tetovë, si dhe për ndërtimin e stacioneve të grumbullimit në Dibër, Kërçovë, Ohër dhe Prilep dhe për mbylljen e deponisë në Novaci. Për momentin po vijon edhe tenderi për blerjen e automjeteve dhe kontejnerëve për komunat e rajonit të Pellagonisë dhe atë Jugperëndimor. Për deponinë në Dobroshinci po vijon procedura e tenderit për përgatitjen e dokumenteve planifikuese, e cila gjithashtu financohet me kredinë e BERZH-it.