OKB paralajmëroi se situata humanitare në Gazë është “përtej katastrofës”

Situata humanitare në Rripin e Gazës është “përtej katastrofës” paralajmëruan Kombet e Bashkuara, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Më shumë se 1 milion persona nuk kanë pranuar asnjë vakt ushqimor në gusht në pjesën jugore dhe qendrore të Gazës përmes ndihmave humanitare, tha zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.

“Pavarësisht sfidave me të cilat përballemi, OKB-ja dhe organizatat e tjera humanitare po vazhdojnë të bëjnë gjithçka që munden për të ofruar ndihmë shpëtuese për palestinezët”, tha ai.

Në mesin 19 gushtit e deri në fund të muajit, 450.000 vakte ushqimore, të përgatitura në 130 kuzhina, u janë ofruar çdo ditë familjeve në mbarë Rripin e Gazës.

“Duhet të përsëritet se situata në Gazë vazhdon të jetë përtej katastrofës dhe ne ende nuk i kemi të gjitha kushtet e nevojshme për të mbështetur njerëzit”, tha Dujarric.

Disa urdhra për evakuim janë lëshuar nga forcat izraelite, duke detyruar 70 kuzhina që të anulojnë shërbimet e tyre apo të zhvendosen.

Për të dytin muaj me radhë nuk ka pasur furnizime të mjaftueshme, që nënkupton se familjet në pjesën jugore dhe qendrore të Gazës kanë pranuar vetëm një racion ushqimor, tha OKB-ja.

Lufta në Gazë ka nisur më 7 tetor. Si pasojë e kësaj lufte izraelite ndaj civilëve, në Gazë janë vrarë më shumë se 40.000 persona dhe enklava po përballet me krizë të rëndë humanitare.