“Oeneum” sjell Festivalin e Poezisë “Festat e Nëntorit” në Tetovë

Në nder të Festave të Nëntorit, Shoqata e Shkrimtarëve “Oeneum” në Tetovë, më 14 dhe 15 nëntor, në sallën e Këshillit Komunal të Tetovës, organizon Festivalin e Poezisë “Festat e Nëntorit”. Ky festival tradicional sjell bashkë krijues, poetë dhe artdashës nga mbarë hapësira shqiptare, për të nderuar përmes vargut dhe fjalës së bukur ditët më të lavdishme të historisë sonë kombëtare, shkruan Portalb.mk.

Sadije Aliti Kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Oeneum, Tetovë, për Portalb.mk tha se tradita e Festivalit të Poezisë ‘Festat e Nëntorit’ bashkon poetë nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora, duke e bërë këtë manifestim një urë shpirtërore të përbashkët për kulturën tonë.

“Vite me radhë në mënyrë tradicionale është realizuar Festivalit mbarkombëtar të poezisë “Festat e Nëntorit”, me një përfshirje gjeografike nga e gjithë hapësira shqiptare madje edhe nga diaspora, poet e krijues shqiptar kanë qenë pjesë e aktiviteteve të shoqatës ndër vite, aktivitetet janë realizuar në disa qytete, në Shkup, Tetovë, Manastir. Edhe këtë vit kemi poet pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria dhe qytetet shqiptare të Maqedonisë. Është nder e krenari që ne si krijues përmes vargut poetik të shënojmë këto data të rëndësishme të historisë sonë Kombëtare, Kongresin e Manastirit dhe Ditën e flamurit, Shpalljen e pavarësisë së shteti Shqiptar”, tha Aliti.

Shoqata e Shkrimtarëve Oeneum Tetovë, nderon me certifikatë mirënjohje Ismail Arsllanin, për kontribut të vyer në fushën e letërsisë, artit dhe gazetarisë, për veprimtarinë e palodhur krijuese për kulturën dhe traditën shqiptare.