Nxënësit në Mal të Zi me më pak “pesa” e më shumë “njësha”

Maturantët në Mal të Zi shënuan rezultat të dobët në provimin e maturës në gjuhën amtare – më të dobëtin në disa vite, raporton Radio Evropa e Lirë. Ngjashëm kaluan edhe gjysmëmaturantët.

Analiza e Qendrës së Provimeve në këtë vend tregon se ka një mospërputhje të madhe mes notave përfundimtare që nxënësit i morën në shkollë dhe atyre që i morën në provimin e njohurive.

Kështu, për shembull, notën “shkëlqyeshëm 5” në lëndën gjuhë e letërsi malazeze, serbe, boshnjake e kroate e morën mbi 1.600 filloristë, ndërsa në provimin e njohurive vetëm 600.

Testimi i njohurive të maturantëve dhe gjysmëmaturantëve u përcoll me masa të rrepta kontrolli, përfshirë ndalimin e marrjes së celularëve në provim.

Këto masa pasuan pasi, vitin e kaluar, u konstatua se mbi 500 maturantë kopjuan në provim.

Profesoresha e gjuhës dhe letërsisë malazeze, serbe, boshnjake e kroate, Svetllana Drobnjak, thotë për Radion Evropa e Lirë se rezultatet e provimit të maturës, të zhvilluar nën masa kontrolli, pasqyrojnë njohuritë reale të nxënësve.

“Ne nuk duhet të habitemi dhe as të kritikojmë, por t’i marrim këto rezultate si pikënisje të planit tonë për përmirësim”, thotë Drobnjak.

Ajo shpreh besimin se, për shkak të këtyre rezultateve, gjenerata e ardhshme do ta marrë më seriozisht përgatitjen për testin e njohurive.