Nxënësit e Maqedonisë së Veriut deri të enjten mund të aplikojnë për bursa në paralele duale

Deri më 11 janar, nxënësit e Maqedonisë së Veriut në formë elektronike do të mund të aplikojnë për bursa të dedikuara për paralelet duale, transmeton Portalb.mk.

“Shuma e bursës do të arrijë 3.500,00 denarë në muaj, dhe do të paguhet në një periudhë prej nëntë (9) muaj gjatë kohëzgjatjes së vitit shkollor 2023/2024”, njoftoi Ministria për Arsim dhe Shkencë.

Nxënësit do të mund të aplikojnë në adresën http://e-uslugi.mon.gov.mk.

“500 (pesëqind) bursa për nxënësit të cilët do të regjistrohen në paralelet e arsimit profesional në të cilat do të realizohet mësimi praktik me numër të shtuar të orëve sipas programeve për arsim profesional në profesionin shëndetësor (paralelet duale nga profesioni shëndetësor) për vitin shkollor 2023/2024”, njoftoi Ministria.

Nxënësit duhet të jenë shtetas të RMV-së të regjistruar në shkollat e mesme, me mesatare së paku 3.00, të mos kenë përsëritur vitin dhe të mos jenë shfrytëzues të ndonjë burse tjetër.

“Nëqoftëse nga numri i përgjithshëm i aplikimeve të paraqitura ekziston barazi gjinore, gjegjësisht nga numri i përgjithshëm i kandidatëve të regjistruar, numri i kandidateve femra është më pak se 40%, në pikën përfundimtare kandidateve femra të cilat i plotësojnë kushtet do t`u jepet pikë shtesë”, theksoi Ministria për këtë Konkurs.