Nxënësit dhe studentët e RMV-së edhe 20 ditë do të mund të aplikojnë për kthimin e parave nga blerja e instrumenteve muzikore

Të gjithë nxënësit dhe studentët e Maqedonisë së Veriut që kanë blerë instrumente muzikore gjatë vitit të fundit, do të mund të aplikojnë kthimin e mjeteve financiare deri 100 mijë denarë. Aplikimi do të jetë i hapur deri më 30 janar, transmeton Portalb.mk.

“Ministria bën kthimin e një pjese të paguar të mjeteve për blerjen e instrumentit muzikor në vlerë prej 75% nga mjetet e paguara, mirëpo jo më shumë se 100.000 denarë për instrument, për blerjen e 25 instrumenteve muzikore nga ana e nxënësve të rregullt të regjistruar në shkollat e mesme shtetërore në të cilën realizohen plane dhe programe për art muzikor”, njoftuan nga Ministria për Arsim dhe Shkencë.

Ministria sqaroi që Konkursi për kthimin e mjeteve për instrumente muzikore të blerë për vitin akademik 2025/2026 vlen edhe për studentet e regjistruar në institucionet arsimore nga fusha e muzikës.

Nxënësit dhe studentët duhet të jenë nënshtetas të RMV-së, të jenë të rregullt, te kenë një çmim në gara muzikore ose shfaqje publike, të ardhurat e ulëta mujore të prindërve dhe sukses, sidomos në lëndët muzikore.

Kriteret dhe dokumentet e nevojshme janë paraparë në Konkurs, ndërsa aplikimi duhet të bëhet në formë elektronike KËTU.