Numri i lejlekëve në Maqedoninë e Veriut është rritur për 60 përqind në dhjetë vjet

Është bërë numërimi i lejlekëve në Maqedoni, njoftoi Shoqata ekologjike maqedonase (ShEM) pas kryerjes së regjistrimit në kuadër të regjistrimit të tetë evropian të lejlekëve, i cili bëhet çdo dhjetë vjet, transmeton Portalb.mk.

Regjistrimi i lejlekëve në vend u krye për herë të parë në vitin 2014, dhe këtë vit popullsia e këtyre shpendëve u rrit me 60 përqind – numri i foleve aktive, nga 837 në 2014, u rrit në 1.388 këtë vit.

Në të njëjtën kohë, 49 përqind më shumë lejlek të rinj kanë çelur këtë vit në krahasim me vitin 2014.

Në Maqedoni janë regjistruar gjithsej 1.765 fole lejlekësh – përveç 1.388 foleve aktive, ka edhe 389 fole joaktive, gjegjësisht fole në të cilat nuk është çelur asnjë lejlek i ri, kanë qenë fole për të fjetur lejlekët ose ka pasur vetëm një zog të rritur. Nga ana tjetër, numri i lejlekëve të çelur është 3.934.

“Lejlekët më së shumti banojnë në rajonet fushore dhe shumica e foleve janë të vendosura në zona të banuara”, thonë nga Shoqata Ekologjike Maqedonase.

Rajonet me më shumë fole lejlekësh janë Pellagonia (541 fole) dhe Ovçe Pole (326 fole).

Sipas numrit të foleve, Pellagonia ka numrin më të madh të lejlekëve të rinj – gjithsej 1.170, që paraqet një nga rajonet më të rëndësishme për lejlekët në Maqedoni, pasuar nga Ovçe Pole dhe Koçansko Pole me 707 zogj të rinj, ndërsa Povardaria e poshtme dhe Radovishi – Strumicë, gjithashtu, kanë një numër të madh të të rinjve, përkatësisht 367 dhe 545.

Tre fshatrat me më shumë fole lejlekësh janë Stojakova – 53 fole, Bogorodica – 45 fole dhe Rosoman – 41 fole.

Numri më i madh i foleve janë vendosur në shtylla (rreth 76% e të gjitha foleve), çatitë e shtëpive (18%), kapanonet, çatitë dhe oxhaqet e fabrikave (rreth 5%), ndërsa foletë më të pakta të lejlekëve janë të vendosura në pemë ( më pak se 0.2%).

“Popullsia e lejlekëve të bardhë po rritet në të gjithë Evropën. Një rritje e tillë e numrit të lejlekëve të bardhë vjen si pasojë e suksesit të masave të zbatuara për mbrojtjen e lejlekëve, uljes së presionit nga bujqësia, por edhe ndryshimet klimatike luajnë një rol të rëndësishëm sepse tani lejlekët e gjejnë ushqimin më lehtë në kushtet e dimrit, kështu që u reduktohet rruga”, thonë nga SHEM, nga ku njoftojnë se do të vazhdojnë monitorimin e gjendjes së lejlekëve.

Kujtojmë se vendi mori procedurën e parë operative për trajtimin e rasteve të helmimit të kafshëve të egra. Dhjetëra institucione, duke përfshirë Inspektoratin e Mbrojtjes së Mjedisit, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe institucione të tjera kompetente për ndalimin e helmimeve të paligjshme të kafshëve të egra, si organet gjyqësore, gjykatat dhe prokuroritë publike më në fund morën udhëzimet dhe procedurat e sakta se si të veprohet në rastet kur në natyrë hasen kafshë të egra të helmuara.

Ndryshe, helmimi i kafshëve të egra është një praktikë e zakonshme në vend dhe në Ballkan, por pavarësisht kësaj, më pak se 20 për qind e incidenteve të helmimit zbulohen dhe dokumentohen. Sipas Studimit për helimin e shkabave ballkanike të vitit 2022, ndikimi aktual i përdorimit të helmit në natyrë është ndoshta shumë më i madh, duke pasur parasysh se vetëm shtatë specie të egra janë regjistruar, raportuar tek autoritetet dhe janë hetuar si viktima të helmimit të mundshëm në 30 incidente të veçanta. Këta janë kryesisht shkaba, shqiponja, ujqër dhe arinj, gjegjësisht specie të mëdha.