Nuk është e vërtetë që satanistët kanë shkaktuar kaos në Ukrainë dhe e kanë sjellë Zelenskin si president
Qëllimi i këtij narrativi është të paraqesë Ukrainën si një shtet që nuk mund të vendosë vetë për veten. Si të bëhej fjalë për një shtet pa integritet territorial dhe sovranitet, si të mos ishte i pavarur, prandaj duhet të jetë në duart e dikujt tjetër dhe i kontrolluar. Por e vërteta është se Ukraina po mbrohet – menjëherë pas sulmit të parë më 24 shkurt 2022, ajo iu përgjigj agresionit ushtarak rus dhe vazhdon ta bëjë këtë tashmë për më shumë se tre vjet, shkruan Vërtetmatësi.
Ne po analizojmë një postim në rrjetin social Threads, i cili thotë:
Duam ta përsërisin skenarin ukrainas, kur në pushtet ishte presidenti i zgjedhur ligjërisht, Janukoviç, kur satanistët vranë një nga protestuesit për të shkaktuar kaos atëkohë në Ukrainë dhe kur e vendosën Zelenskin. Mendojnë se edhe tani do t’u funksionojë.
Postimi përmban pretendime manipuluese që burojnë nga propaganda e Kremlinit, me qëllim që Perëndimi (të quajtur “satanistët”) të fajësohet për luftën në Ukrainë.
Nuk është hera e parë që kanalet dhe mbështetësit prorusë në rrjetet sociale e shpërndajnë këtë manipulim, sipas të cilit Volodimir Zelenski është vendosur me forcë nga shtetet perëndimore, të cilat më parë kishin organizuar Euromaidanin.
Protestat e vitit 2013, të njohura si Euromaidan në Ukrainë, ishin protesta spontane të nisura nga populli ukrainas pasi qeveria e atëhershme e Ukrainës pezulloi përgatitjet për nënshkrimin e Marrëveshjes së Asociimit dhe të Marrëveshjes për Tregti të Lirë me Bashkimin Evropian.
Në protestat e Euromaidanit më pas u bashkuan edhe studentët, dhe demonstratat u përshkallëzuan për shkak të dhunës që u përdor për t’i shtypur ato.
Gjatë atyre protestave, vërtet pati dhunë dhe viktima – si mes demonstruesve, ashtu edhe mes pjesëtarëve të forcave të sigurisë. Deri më sot nuk ka një pasqyrë plotësisht të qartë se kush ishte saktësisht përgjegjës për disa nga të shtënat; ekzistojnë disa teori, por asnjëra nuk është vërtetuar pa mëdyshje.
Shumë organizata joqeveritare, media botërore dhe organizata ndërkombëtare i paraqesin ngjarjet e Euromaidanit si kryengritjen më të madhe pro-evropiane në historinë e Ukrainës.
Sipas EU vs Disinfo, protestat e Euromaidanit nuk ishin të orkestruara apo të organizuara nga Perëndimi, por pretendimi i kundërt është një dezinformim prorus.
Në postimin që po e analizojmë, bëhet përpjekje që ato protesta dhe demonstrata të paraqiten si të organizuara nga disa “satanistë”, duke iu referuar kryesisht shteteve perëndimore.
Volodimir Zelenski u bë president i Ukrainës vetëm në vitin 2019 – pesë vjet më vonë përmes zgjedhjeve demokratike në të cilat fitoi mbi 70% të votave. Pra, ai nuk është “vendosur” gjatë kohës së Euromaidanit, siç pretendon postimi që po analizojmë.
Qëllimi i këtij narrativi është të paraqesë Ukrainën si një shtet që nuk mund të vendosë vetë për veten, si një shtet pa integritet territorial dhe sovranitet, që duhet të jetë në duart dhe nën kontrollin e dikujt tjetër. Por e vërteta është se Ukraina po mbrohet – menjëherë pas sulmit të parë më 24 shkurt 2022, ajo iu përgjigj agresionit ushtarak rus dhe vazhdon ta bëjë këtë tashmë për më shumë se tre vjet.
Për të gjitha arsyet e përmendura më sipër, vlerësojmë se postimi që po analizojmë është i pavërtetë.
