Një person nga Shkupi akuzohet se ka vrarë gjyshen e tij gjatë dhunës në familje

Pas një procedure hetimore, prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup sot ka dorëzuar aktakuzë kundër një 28-vjeçari nga Shkupi për veprën penale Vrasje nga neni 123 paragrafi 2 pika 2 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

“Më 18 janar, gjatë ushtrimit të dhunës në familje në shtëpinë familjare në bulevardin “Vidoe Smilevski Bato” në Shkup, i akuzuari me dashje i ka marrë jetën gjyshes së tij. Ndërsa viktima ishte duke ngrënë, ai e ka sulmuar, ka filluar ta godasë në kokë dhe në trup dhe më pas e ka mbytur”, thonë nga Prokuroria.

Prokurori publik ka dorëzuar edhe në Gjykatën Themelore Penale Shkup propozim për vazhdimin e masës së paracaktuar të paraburgimit për të akuzuarin.