Një i vdekur dhe pesë të plagosur nga rrëzimi i helikopterit norvegjez në Detin e Veriut
Një helikopter që fluturonte midis një platforme nafte në det të hapur dhe brigjeve të Norvegjisë është rrëzuar në Detin e Veriut, duke lënë të vdekur një person dhe duke plagosur 5 të tjerë, njoftoi policia norvegjeze të enjten, transmeton Anadolu.
Helikopteri “Sikorsky S-92”, në bordin e të cilit ishin 6 persona, ishte në një mision trajnimi për kompaninë shtetërore të naftës dhe gazit “Equinor ASA” kur u rrëzua të mërkurën vonë në Bergen, qyteti i dytë më i madh i Norvegjisë, tha agjencia norvegjeze e lajmeve NTB.
Policia tha se 5 persona “pësuan lëndime të ndryshme”, përfshirë një me lëndime të lehta, por nuk dha detaje. Të paktën dy helikopterë të shpëtimit gjetën të mbijetuarit dhe trupin e pajetë të një personi herët të enjten.
NTB citoi drejtorin ekzekutiv të “Equinor”, Anders Opedal, i cili incidentin e quajti “thellësisht tragjik”. Të gjashtë personat punonin për “Equinor” ndërsa shkaku i aksidentit po hetohet.