Një diplomaci e re në veprim

Politika e parandalimit ose ndryshe e quajtur si (Deterrence policy), përdoret shpesh në politikën ndërkombëtare dhe në raportet në mes shteteve. E gjithë kjo bëhet për të dekurajuar qeveritë të ndërmarrin veprimeve dhe aktivitete që janë në kundërshtim me normat ndërkombëtare. Kjo masë më së shumti është dëgjuar gjatë Luftës së Ftohtë, kur SHBA-ja duhej të vinte në zbatim disa politika të parandalimit ndaj Bashkimit Sovjetik.

Për ta bërë më të qartë për lexuesit, le të fillojmë me disa raste konkrete. Rusia siç dihet nuk ka ndryshuar dhe mbetet e njëjta me ambiciet ndaj fiqnjëve. Në këtë grup bën pjesë dhe Serbia e cila në kuadër të projektit “Të gjithë serbët në një shtet” synon të arrijë qëllimet shekullore të dominimit dhe zgjerimit. Megjithatë një politikë  e tillë është hetuar përfundimisht nga Mbretëria e Bashkuar (MB), e cila si mbështetëse e madhe e pavarësisë së Kosovës, dhe proceseve demokratike në Ballkan, papritur është bërë lidere e arkitekturës së sigurisë. Pasi siguria në Bosnjë është lëkundur nga veprimet e fundit të liderit ultra nacionalist serb Millorad Dodik, Londra si duket e ka nuhatur më herët situatën në Ballkan.

Kështu në fillim janarit, sekretari i Jashtëm i MB-së, David Cameron vizitoi Kosovën. Ai pas kthimit në Londër në një seancë në parlamentin britanik deklaroi se “ekziston një frustrim në rritje ndaj qëndrimt të qeverisë serbe. Rusia dëshiron të destabilizojë Ballkanin përmes përfaqësuesve të saj, përfshirë Serbinë…”. Më tej deputetja konservatore po në parlamentin britanik Alicia Kearns tha se është koha që të gjendet një shtyllë dhe një zë për Kosovën dhe të qëndrohet të palëkundur me Kosovën kundër irredentizmit.

Me vite Serbia është lejuar të veprojnë si shtete agresore. Dhe pas shumë politikave të buta të qendrave botërore, përfundimisht si mjete të tjera të politikës së jashtme kanë filluar të përdoren pikërisht disa masa që kanë për qëllim parandalimin e një konflikti të ri në Ballkan. Disa studime sugjerojnë se “strategjitë e mohimit janë më të besueshme se strategjitë e ndëshkimit”.

Autori Glenn Snyder, në publikimin me titull: ”Deterrence by denial and punishment”, Princeton, N.J.: Center of International Studies, January 1959, pp. (4–6, 38),  mbështetet në disa supozime dhe fakte të Luftës së Ftohtë. Pasi shumë çështje të këtij shekulli nuk janë të njëjta si gjatë Luftës së Ftohtë, natyrisht se edhe strategjia e mohimit nuk mund të jetë e njëjtë. Në këtë strategji bën pjesë njoftimi që erdhi nga SHBA-ja. Departamenti amerikan i Shtetit ka pranuar një kërkesë të Kosovës për të blerë 246 raketa të prodhimit amerikan “Javelin” që kryesisht përdoren kundër mjeteve të blinduara dhe tankeve. Kjo përbën një lëvizje të rëndësishme në kuadër të politikës së jashtme amerikane në Ballkan dhe në Evropë. “Departamenti i Shtetit ka marrë një vendim për miratimin e një shitje të mundshme ushtarake në Republikën e Kosovës të raketave “Javelin” dhe pajisjeve përkatëse për një kosto të vlerësuar prej 75 milionë dollarë”.

Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes së SHBA-së (DSCA) e ka dorëzuar certifikatën e nevojshme  duke e njoftuar Kongresin për këtë shitje të mundshme. Sipas njoftimit të agjencisë, “shitja e propozuar do të mbështesë qëllimet e politikës së jashtme dhe sigurinë kombëtare të SHBA-së duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian, i cili është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë”. Analistë të shumtë kanë bërë thirrje që SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania të ndërmarrin hapa konkretë ndaj Serbisë dhe të bëjnë më shumë në zmbrapsjen e aktorëve malinj në Ballkan. Sipas vlerësimeve, nëse strategjia e Londrës dhe e Uashingtonit dështon, pasojat mund të jenë katastrofike, andaj SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar duhet të jenë të vendosura në këtë aksion të ri në rajon.

Shitja e mundshme e raketave të kompanive amerikane në Kosovë, vizita e fundit e sekretarit të Jashtëm britanik David Cameron dhe të kryeministrit irlandez Leo Varadkar në Prishtinë janë shenja serioze për të mohuar aksionet e rëndësishme serbo-ruse në Kosovë dhe Bosnjë. Që nga Luftërat Ballkanike të fillim shekullit të kaluar, Serbia është cilësuar si shtet agresor duke shfaqur dyshime për orientimin e saj pro- evropian.

Pas një kohe mjaft të gjatë të përkëdheljes, tani disa veprime nga Londra dhe Uashingtoni janë të dukshme e që detyrimisht do ta bëjnë Beogradin zyrtarë të vlerësojë veprimet nëse duhet të vazhdohet më tej me politikën e neutralitetit të rrejshëm.

Në thelb me strategjinë e mohimit të vënë në lojë nga Londra dhe Uashingtoni, Beogradit i kufizohet hapësira e qëndrimit në dy anë. Mirëpo diplomacia e mohimit anglo- amerikan nuk parashikon rritjen e mundshme  të lëvizjeve të reja taktike nga politika serbe duke e bërë më të qartë pozicionin pro- rus dhe filluar operacione të nivelit të mesëm kundër Kosovës dhe Bosnjës.

Në këtë rast politika e mohimit apo e shtrëngimit kundër Beogradit nuk do të ketë efekte. Në një situatë të tillë mund të kemi oferta të reja të SHBA-së ndaj Serbisë. Prandaj duhet vëzhguar me kujdes se si do të reagojë qeveria serbe në muajt e ardhshëm. Për sa i përket qëllimeve afatgjate ruse këtë e kemi përsëritur disa herë viteve të fundit.

Tendencat ruse i vërtetojnë edhe disa raporte të deklasifikuara që tregojnë për angazhimin e kahershëm rus për të pushtuar Evropën dhe mbajtur pjesën tjetër nën presion. “Thjesht jepja Evropën Rusisë”, raportohet t’i ketë thënë ish- presidenti rus Boris Jelcin në një takim ish -presidentit amerikan Bill Klinton. Pavarësisht rolit rus dhe serb kur jemi tek diplomacia amerikane dhe britanike duhet thënë se vërehen aksione të duhura në kuadër të diplomacisë shtrënguese dhe të politikës së parandalimit të tensioneve në Ballkanin Perëndimor.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.