Nikolloski: Autostrada Ohër-Kërçovë po hyn në fazën përfundimtare
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski njoftoi sot në rrjetin social Facebook se aktivitetet ndërtimore në seksionin e autostradës Ohër-Kërçovë po hyjnë në fazën e fundit, transmeton Portalb.mk.
Ai theksoi se një pjesë e konsiderueshme e projektit është zbatuar në dy vitet e fundit dhe njoftoi se autostrada së shpejti do të vihet në funksion për qytetarët.
“Shikoni progresin e punës në pjesën e mbetur të seksionit Ohër-Kërçovë, ku kemi ndërtuar shumë në dy vitet e fundit dhe së shpejti qytetarët maqedonas do të ngasin në këtë autostradë”, shkroi Nikolloski në Facebook.
Sipas tij, projektet infrastrukturore në të gjithë vendin vazhdojnë të zbatohen.
“Maqedonia po ndërtohet”, shtoi ai.
Në janar, Nikolloski njoftoi se dyzet kilometra të autostradës Ohër-Kërçovë janë tashmë në funksion. Më parë, gjatë një inspektimi të punimeve në këtë seksion, ai tha se në këtë segment po kryhen punime komplekse inxhinierike dhe ndërtimore, të cilat po kryhen për herë të parë në rajon, me qëllim që të mundësohet stabilizimi i shpateve dhe tokës.
Ndërtimi i autostradës Kërçovë – Ohër filloi në shkurt të vitit 2014 dhe po realizohet nga kompania kineze “Sinohydro”. Gjatësia e trasës është 57 kilometra, ndërsa vlera fillestare e kontratës ishte 373 milionë euro. Afati fillestar për përfundim ishte qershori i vitit 2018, por punimet janë shtyrë disa herë për shkak të problemeve serioze inxhinierike, juridike dhe administrative. Pikërisht për shkak të këtyre problemeve, çmimi është rritur dhe sipas disa burimeve jozyrtare tani arrin mbi 600 milionë euro.