Nga sot hiqen vizat për qytetarët e Kosovës për udhëtime në zonën Schengen

Qytetarët e Kosovës nga sot do të mund të udhëtojnë pa viza në 27 shtetet e zonës Schengen, transmeton REL.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Më 1 në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, u organizua udhëtimi i parë i 50 qytetarëve, që fituan udhëtimin drejt Vjenës së Austrisë në kuadër të të një fushate informuese të autoriteteve lidhur me liberalizimin e vizave.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se për vite të tëra qytetarët u privuan nga e drejta për të lëvizur pa viza në zonën Schengen.

Gjatë ceremonisë në Aeroportin e Prishtinës, Kurti u kërkoi qytetarëve që udhëtojnë pa viza që të respektojnë kërkesat dhe kriteret, “sepse kështu respektojmë dhe lartësojmë shtetin tonë”.

“Andaj, ky mëngjes i Vitit të Ri 2024 nuk ka se si t’ia fillojë më mbarë sesa me zgjerimin e të drejtave dhe mundësive të qytetarëve tanë. Kemi pritur shumë gjatë, jemi privuar nga shumë mundësi. Prandaj, kjo është një ditë e rëndësishme, po hiqet një padrejtësi e madhe dhe po fitohet një e drejtë e rëndësishme, e drejta e udhëtimit pa viza në zonën Schengen”, tha Kurti.

Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.

Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më tani nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.

Kjo pavarësisht faktit se që nga viti 2018, Komisioni Evropian kishte konfirmuar disa herë që Kosova kishte përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por që disa shtete vazhdimisht kishin shprehur rezerva.