Në Teatrin “Adriana” në Ferizaj do të shfaqet premiera e veprës “13” nën regji të Sulejmanit Rushitit
Me 13 dhjetor me fillim nga ora 19:00 në Teatrin “Adriana” në Ferizaj do të shfaqet premiera e shfaqjes “13” nën regji të regjisorit nga Maqedonia e Veriut Sulejman Rushiti. Vepra “13” është një përpjekje për të përshkuar me gjuhë teatrale mënyrën se si historia jonë e ndërlikuar, me tragjeditë dhe triumfet e saj, vazhdon të na përcaktojë, transmeton Portalb.mk.
Regjisori Sulejman Rushiti për Portalb.mk tha se ky është një projekt që synon të hapë një dialog të vazhdueshëm mes asaj çka kemi trashëguar dhe asaj çka mund të krijojmë në të ardhmen.
“Me këtë vepër, synoj të nxis një reflektim të thellë mbi historinë dhe identitetin shqiptar, duke e parë atë në një pasqyrë që bashkon të kaluarën dhe të tashmen. Përmes dramës, farsës, dhe komedisë, synoj të nxjerr në pah tensionet e brendshme të individëve dhe shoqërisë, dhe të krijoj një hapësirë ku publiku mund të reflektojë mbi atë që kemi qenë dhe atë që mund të bëhemi”, tha Rushiti.

Se çka shpalos regjisori nëpërmjet kësaj vepre Rushiti më tej shtoi:
“Nëpërmjet kësaj vepre, shpalos një panoramë të pasigurisë dhe tragjedisë që kanë përcjellë shqiptarët ndër shekuj, duke përdorur si mjet simbolik numrin 13, i cili është ngarkuar me një kuptim të thellë historik dhe kulturor. Në këtë shfaqje, historia nuk është një rrëfim linear, por një mozaik i ngjarjeve dhe emocioneve që shpesh janë të mbushura me absurditet dhe shpresë. “13” është një pasqyrë e tensioneve të shoqërisë shqiptare, ku bestytnitë bashkohen me realitetin historik për të krijuar një pasqyrë të pasur të natyrës njerëzore. Shfaqja është një kërkim për të kuptuar si historia, me gjithë dhimbjen dhe pasigurinë që sjell, është gjithmonë një mundësi për reflektim dhe ndryshim”.
Ruhshiti tha se kjo vepër përfshinë një pasurim të zhanreve të ndryshme.
“Shfaqja përfshin disa zhanre të ndryshme, duke krijuar një mozaik narrativ që është shumëdimensional. Ajo bashkon elemente të dramës, tragjedisë, komedisë dhe farsës, duke reflektuar kompleksitetin e historisë sonë dhe të natyrës njerëzore. Kjo ndërthurje e zhanreve nuk është e rastësishme, por një mjet për të treguar se si realiteti shpesh është një përzierje e tensioneve, humorit dhe tragjedisë, ku çdo ngjarje ka një shumëkuptimësi që kërkon një analizë të thellë”, tha Rushiti.

Ai shtoi se ka pasur momente kur sfidat e natyrës praktike dhe të pasigurisë që ka historia jonë kërkojnë një qasje shumë më të thellë dhe të nuancuar, prandaj është e mundur që disa ide të jenë zhvilluar më tej në procesin e krijimit.
“Por, në fund, besoj se kemi arritur të sjellim në skenë një vepër që pasqyron gjithë atë që kishim synuar – një shfaqje që ndërthur histori, mitologji dhe aktualitet në mënyrë të thellë dhe të ndërlikuar”, tha Rushiti.
Se kurë pritet që të shfaqet para publikut të Shkupit Sulejmani theksoi se pas premierës në Kosovë, beson se “13” do të ketë një jetë të gjatë dhe do të shfaqet në shumë hapësira, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në të gjithë hapësirën ballkanike dhe më gjerë.
