Në Kosovë u shënua një rast pozitiv me virusin e Nilit Perëndimor

Një rast pozitiv me virusin e Nilit Perëndimor është shënuar në Kosovë të mërkurën, njoftoi Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHPK), transmeton Radio Evropa e Lirë.

IKSHPK-ja shkroi në Facebook se një burrë 59-vjeçar nga komuna e Fushë Kosovës u hospitalizua në Klinikën Infektive të QKUK-së më 29 korrik, për shkak të simptomave si, lodhja dhe temperatura e lartë.

“Pacienti nga data 27.06.2024 deri më 29.06.2024 ka qëndruar në Shëngjin-Shqipëri, ndërsa nga data 13.07.2024 deri më 22.07.2024 ka qëndruar për pushime në Ulqin. Simptomat i janë paraqitur menjëherë pas kthimit nga Ulqini”, thuhet në njoftim.

Pacienti është duke u trajtuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, tha IKSHPK.

IKSHPK shtoi se situata epidemiologjike “është e qetë dhe po përcillet me kujdes të shtuar”.

Virusi transmetohet kryesisht nga mushkonjat. Mushkonjat infektohen kur ushqehen me shpezë të infektuara dhe kështu e përhapin virusin, përmes pickimit.

Në mesin e simptomave të infektimit janë kokëdhimbja, temperatura, dhimbjet e muskujve dhe lodhja e konsiderueshme.

Virusi i Nilit Perëndimor shkakton sëmundje sezonale në muajt e verës.

Ekspertët sugjerojnë që disa prej mënyrave për t’u mbrojtur nga infektimi janë: veshja e rrobave më mëngë të gjata dhe ngjyra të hapura, që të mos dilet në ambiente të hapura gjatë periudhës kur mushkonjat janë më së shumti aktive – në muzg dhe në agim – si dhe të përdoren rrjeta nëpër ambiente të hapura të shtëpive.

Disa fakte për virusin e Nilit Perëndimor:

  • Sipas IKSHPK-së, rreth 80 për qind e të infektuarve nuk kanë asnjë shenjë të infektimit
  • Virusi nuk përhapet nga një njëri te tjetri
  • Nuk ka vaksinë në botë për të.