Në Kosovë filloi zbatimi i ligjeve për targat dhe dokumentet e huaja 

Nga sot (16 janar) në Kosovë ka nisur zbatimi i Ligjit për komunikacionin dhe Ligjit për të huajt, transmeton Portalb.mk

Sipas ligjit, automjetet me targa të huaja nuk mund të qarkullojnë më shumë se tre muaj pa autorizim.

Ndërkaq, personat pa dokumente të Kosovës duhet të aplikojnë për leje qëndrimi brenda 72 orëve.

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, tha se në fazën e parë, vizitorët që hyjnë në vendkalimet kufitare do të marrin material informues mbi procedurat dhe rregullat.

Kjo periudhë do të zgjasë deri më 15 mars.

“Pas kësaj fillon zbatimi i plotë i procedurave dhe rregullave që parashihen me ligjet e lartëpërmendura”, tha Bislimi.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se masat prekin kryesisht pjesëtarët e komunitetit serb që përdorin targa të Serbisë ose nuk kanë dokumente të Kosovës.

Ai shtoi se policia do të zbatojë ligjin në terren.

Sipas tij, drejtimi i automjeteve me autorizim lejohet vetëm në raste emergjente.

Masat janë kundërshtuar nga komuniteti serb dhe partia Lista Serbe. Ata kërkojnë shtyrje dhe gjetje të një zgjidhjeje përmes dialogut.

Zyrtarë të Qeverisë së Serbisë gjithashtu kanë kritikuar masat. Ata paralajmërojnë se zbatimi i plotë mund të ndikojë në dialogun Kosovë-Serbi.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë i quajti masat “hapa të rinj përshkallëzues”.