Në Korçë u përkujtua 100-vjetori i Violeta Manushit, u shfaq dokumentari “Brezi i Artë aktorësh”
Në skenën e teatrit “A.Z. Çajupi” në Korçë mbrëmë u shënua 100 vjetori i lindjes së aktores së madhe Violeta Manushi, bijë e qytetit dhe një nga emrat më të ndritshëm të teatrit dhe filmit shqiptar, shkruan Portalb.mk.
Mbrëmja përkujtimore solli emocione dhe vlerësim për trashëgiminë e saj artistike, ndërsa në kuadër të aktivitetit u shfaq edhe premiera e dokumentarit “Brezi i Artë aktorësh, Violeta Manushi”, me regji dhe skenar të Merita Çoçolit, një rrëfim që rikthen në vëmendje rolin e saj të pazëvendësueshëm në historinë e artit shqiptar.
Violeta Manushi lindi në Korçë në vitin 1926 dhe filloi karrierën e saj artistike në skenën e teatrit, duke u shndërruar në një prej ikonave të artit dramatik shqiptar. Ajo interpretoi role të shumta në teatër dhe filma, duke u vlerësuar për talentin e jashtëzakonshëm, profesionalizmin dhe aftësinë për të sjellë emocione të thella në publik. Karriera e saj përfshinte bashkëpunime me regjisorë të shquar dhe interpretime në shfaqje që janë pjesë e repertorit klasik të teatrit shqiptar.
Premiera e dokumentarit u ndoq nga artdashës dhe spektatorë të shumtë që kishin mbushur sallën dhe përjetuan emocione të veçanta përmes dëshmive nga aktorët që kanë interpretuar në skenë dhe film me Manushin, ndërsa sollën kujtime të paharrueshme duke vlerësuar kontributin e saj të jashtëzakonshëm në artin shqiptar.
Kryetari i bashkisë Korçë Sotiraq Filo, theksoi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe artistike të vendit, duke nderuar një nga figurat më të ndritura të skenës dhe filmit shqiptar dhe duke frymëzuar brezat e rinj të artistëve për të ndjekur rrugën e saj të jashtëzakonshme në art.