Në fund të mandatit Kasami e promovoi strategjinë e turizmit, 5 nga 7 premtimet për turizmin mbeten të parealizuara

Pesë nga shtatë premtimet e Komunës së Tetovës për zhvillimin e turizmit nuk janë realizuar ende, ndërkaq janë realizuar vetëm dy, njëra prej të cilës pak javë para përfundimit të mandatit të kryetarit aktual të komunës, shkruan Portalb.mk. 

Në programin zgjedhor ‘Me ka krejt për Tetovën’ 2021-2025 me të cilin kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami garoi dhe fitoi në zgjedhjet e fundit lokale tetorin e vitit 2021, mes tjerash përmend malësinë dhe ndërtimin e bujtinave.  

Te pjesa e turizmit, konkretisht në faqe 15 thuhet:  

Foto: Printescreen nga programi zgjedhor i Bilall Kasamit për Tetovën 2021/2025
Foto: Printescreen nga programi zgjedhor i Bilall Kasamit për Tetovën 2021/2025

Por, gati se katër vite më vonë prej kur Kasami erdhi në krye të Komunës së Tetovës, në terren janë realizuar vetëm dy nga këto pika: Themelimi i qendrës informuese për turistët, dhe sot u promovua Strategjia për Turizmin 2025-2029.  

Duke sqaruar strategjinë e turizmit, kryetari i komunës, Bilall Kasami tha se është dokument strategjik i cili do të jetë udhërëfyes në të ardhmen sa i përket bukurive natyrore por njëherësh që turizmi të rikthehet dalë ngadalë si një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik lokal të Komunës së Tetovës. 

“ Ka të bëjë me promovimin e agroturizmit, bujtinave të ndryshme dehe gjithçka që ka të bëjë me rikthimin e aktiviteteve ekonomike në pjesën e Malit Sharr, apo në fshatrat”, tha Kasami.  

Në ndërkohë, pesë pikat tjera mbeten të parealizuara në terren.