Ndryshe flitet, tjetër veprohet: Komuna e Tetovës e mban ‘sekret’ raportin për objektet e rrezikuara nga tërmetet

Komuna e Tetovës vazhdon të mos e bëjë publik dhe të mos e dorëzojë raportin për objektet e rrezikuara nga tërmetet. Pavarësisht se kryetari i komunës thotë se raportin do mund të na e sigurojnë, shërbimet e komunës nuk e japin të njëjtin, shkruan Portalb.mk.

Tërmeti i para pak ditëve prej 4.9 shkallësh që goditi Tetovën dhe rrethinën, ngriti shqetësimet për qëndrueshmërinë e objekteve.

Ndonëse para mbi dy viteve u formua Komisioni për vlerësimin e qëndrueshmërisë dhe stabilitetit ndaj veprimeve sizmike të objekteve publike në Tetovë, gjetjet nuk janë bërë të ditura për opinionin se cilat objekte janë më të rrezikuara dhe në çfarë shkalle.

Portalb.mk para disa ditëve i kërkoi gjetjet të cilat i ka konstatuar komisioni, por nga komuna nuk na e dorëzuan raportin se cilat objekte janë më të rrezikuara, çfarë masa janë ndërmarrë dhe a kanë plan konkret.

Për atë se pse ky raport nuk është publik dhe pse nuk i dorëzojnë gjetjet, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami u arsyetua se ueb-faqja e komunës ka qenë në rikonstruim.

“Besoj që shpejtë ai raport do jetë në faqen zyrtare, por në kërkesë do mund të ju dorëzohet”, tha Kasami.

Ai tha se sa u përket masave në këtë drejtim, në fokus do të jenë shkollat ku kanë bërë plan për rikonstruime dhe ndërtime.

Megjithatë, pavarësisht zotimit të Kasamit, sektori për marrëdhënie me publikun vazhdon të mos e dërgojë këtë raport.

Ndryshe, Komisioni për vlerësimin e qëndrueshmërisë dhe stabilititetit ndaj veprimeve sizmike për objektet kolektive, publike dhe të trashëgimisë kulturore në Tetovë u formua në janar të vitit 2024. Më pas ky komision analizoi diku rreth 20-30 objekte publike se sa kanë dëmtime në strukturë. Megjithatë, raporti i plotë nuk u bë publik për opinionin.