Ndikimin politik ndaj Maqedonisë së Veriut Kina e realizon përmes ekonomisë

Varësia e Maqedonisë së Veriut nga Kina është e dukshme në tre sfera, në tregti, investime dhe në kreditë për infrastrukturë, tregon analiza e organizatës joqeveritare “Estima”. Ekspertët paralajmërojnë se varësia ekonomike nga Kina mund të përdoret për qëllime politike, dhe në dëm të interesave strategjike kombëtare, shkruan Radio Evropa e Lirë transmeton Portalb.mk.

Deri në fund të vitit 2022, nga totali i investimeve të huaja në Maqedoninë e Veriut, pjesëmarrja e Kinës është me 2.6%, që paraqet 10 herë më pak sesa investimet e saj në Serbi. Nga ana tjetër, borxhi i jashtëm i Maqedonisë së Veriut ndaj Kinës deri në vitin 2022 është 479 milionë dollarë. Kjo shumë është 8.7% e totalit të borxhit të jashtëm publik dhe 3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, tregojnë të dhënat e paraqitura nga organizata joqeveritare “Estima”.

Borxhi është krijuar për shkak të kredive financiare nga bankat kineze për ndërtimin e projekteve infrastrukturore: hidrocentrali të Kozjakut dhe autostradave Miladinovci – Shtip dhe Kërçovë – Ohër. Sipas kryetares së OJQ- së Estima, Ana Kristinovska, kjo shumë mund të menaxhohet, por, marrëveshja mes bankës kineze dhe Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore është asimetrike.

“Marrëveshja përfshin klauzola që përcaktojnë se Kina mund të ndërpresë në mënyrë të njëanshme dhe të parakohshme marrëveshjen, të lejojë ose të mos lejojë riprogramim të mjeteve. Të gjitha këto kritere janë arbitrare që u japin bankave të drejtë për të vepruar sipas rregullave të tyre që nuk përputhen me rregullat ndërkombëtare. Nëse ne kërkojmë ndryshim ose ndërprerje të marrëveshjes ose kemi një mosmarrëveshje, gjykata gjendet në Pekin dhe legjislacioni është kinez”, thotë Krstinovska.

Analiza e kësaj organizate e cila mban emrin “Shpresoni për më të mirën, përgatituni për më të keqen: A është Maqedonia e Veriut e pambrojtur ndaj presionit ekonomik nga Kina” është përgatitur në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer dhe Fakultetin Juridik të Universitetit të Shkupit.

Analiza tregon se prania kineze në Maqedoninë e Veriut me investime është shumë e vogël. Kina nuk është shtet që investon, por jep kredi për financimin e projekteve shtetërore.

“Ka tendencë për zvogëlimin e dhënies së kredive në vendet e tjera anëtare të NATO-s që kanë qëndrime më kritike ndaj Kinës, siç është Shqipëria. Ne nuk kemi as shpërblim e as ndëshkim për marrëdhëniet me Kinën. Në Serbi lidershipi ka prirje pozitive ndaj Kinës për arsye politike me situatën ndaj Kosovës. Kina shpërblen Serbinë për këtë mbështetje politike përmes investimeve”, thotë Krstinovska.