“N’Dardani bie nji Tupan 2025”: Shkupi në ritmin e artit e traditës shqiptare
Të enjten, më 20 nëntor, në skenën e Teatrit Shqiptar në Shkup, Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Emin Duraku” organizon edicionin e shtatë të Festivalit tradicional “N’Dardani bie nji Tupan” 2025. Ky festival tashmë është shndërruar në një ngjarje të rëndësishme kulturore, ku bashkohen arti, tradita dhe trashëgimia shqiptare. Në këtë edicion pritet të marrin pjesë artistë, grupe folklorike dhe mysafirë të shumtë nga e gjithë hapësira shqiptare, të cilët do të sjellin një program të pasur me këngë, valle dhe interpretim artistic, shkruan Portalb.mk.
Fadil Zeneli kryetar i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Emin Duraku” për Portalb.mk tha se ky edicion sjell një program të gjallë, energjik dhe emocional ashtu siç pulson vetë “N’Daradani”, ritmet kostumet, instrumentet janë elemente që duhet ruajtur.
“Programin e këtij edicioni e kemi konceptuar si një mozaik ritmesh dhe ngjyrash, ku çdo ansambël sjell një copëz të shpirtit të vet kulturor. Dominon folklori autokton shqiptar, por këtë vit kemi hapur skenën edhe për elemente të komuniteteve tjera që e pasurojnë frymën e festivalit. Është një program i gjallë, energjik dhe emocional ashtu siç pulson vetë “N’Daradani”. Këtë edicion marrin pjesë ansamble, grupe dhe solistë nga shumë treva të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, secili me veçantinë e vet. Ky diversitet e kthen festivalin në një urë që lidh traditat, njerëzit dhe ritmet e tyre, duke dëshmuar se folklori është gjuhë e përbashkët që nuk njeh kufij. Elementet më të rëndësishme që duhet të ruhen janë ritmet autentike, kostumet e trashëgimisë, instrumentet tradicionale dhe shpirtësia që qëndron pas çdo valleje e kënge. Këto janë themelet e identitetit tonë kulturor, rrënjët që na mbajnë të lidhur me historinë dhe që na udhëheqin drejt së ardhmes”, tha Zeneli.
Ai shtoi se risia e këtij viti është hapësira më e madhe që i kanë dhënë artistëve të rinj dhe bashkëpunimeve mes grupeve.
“Risia kryesore e këtij viti është hapësira më e madhe që i kemi dhënë artistëve të rinj dhe bashkëpunimeve mes grupeve. Përveç kësaj, skenografia dhe qasja artistike janë të ridizajnuara për të krijuar një përvojë më të fuqishme vizuale. Po ashtu, ansambli ynë sjell një valle të re e cila titullohet “Dradanus” koreografi e përgatitur nga valltari i ri por me një potencial të fuqishëm të koreografit, ku paraqitet një ndërthurje mes traditës dhe interpretimit bashkëkohor, që ruan rrënjën por sjell frymë të re në skenë, pra Emin Duraku do të paraqitet me tre grupe dhe me përkushtim të plotë punon edhe koreografja Xheneta së bashku me Avniun” tha Zeneli.
Ky festival është një dritare e gjerë për identitetin tonë kulturor. Ai e bën traditën të dëgjohet, të shihet dhe të ndjehet. Përmes tij, kultura jonë nuk ruhet vetëm por ajo jeton, merr frymë dhe transmetohet te brezat e rinj. “Ndaradani bje bji tupan” është provë se kultura jonë është një pasuri që meriton të ndihet me krenari.