“Folk & Movies” mbyll me shkëlqim edicionin e 8-të të Skupi KamerFest

Me koncertin “Folk & Movies” të mbajtur nga SpaDuet (Spanja), Alfredo Oyaguez Montero Piano dhe Rodrigo Perez Vila Saksofon, u përmbyll me sukses edicioni i 8-të i Festivalit Ndërkombëtar “Skupi KamerFest”. Ky koncert final solli në skenë energji, finesë dhe një ndërthurje magjike mes muzikës tradicionale dhe kolonave zanore, duke i dhënë publikut një përjetim artistik të paharrueshëm, shkruan Portalb.mk.

Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte pianisti, maestro Alfredo Oyaguez Montero, i cili ndau historinë dhe sfondin e çdo pjese para interpretimit, duke i ofruar audiencës një lidhje më të thellë dhe më intime me muzikën.

Foto nga koncerti “Folk & Movies”. Foto: Muza (Facebook)
Foto nga koncerti “Folk & Movies”. Foto: Muza (Facebook)

Pjesë e mbrëmjes ishin edhe nxënësit e Shkollës së Mesme të Mjekësisë, të cilët morën pjesë në koncert së bashku me profesorin e tyre Bekim Fera. Entuziazmi dhe kurioziteti i tyre i shtuan një energji të mrekullueshme këtij eventi.

Foto nga koncerti “Folk & Movies”. Foto: Muza (Facebook)
Foto nga koncerti “Folk & Movies”. Foto: Muza (Facebook)

Gjatë gjithë edicionit të këtij viti, “Skupi KamerFest” mbeti besnik misionit të tij për të sjellë në Shkup artistë të shquar nga skena ndërkombëtare dhe programe të kuruara.

Publiku pati mundësinë të shijojë performanca të shkëlqyera, interpretime virtuozësh dhe bashkëpunime muzikore që tejkaluan kufijtë gjeografikë dhe kulturor.

“Skupi KamerFest” tashmë po e forcon gjithnjë e më shumë pozicionin e tij si një nga festivalet më të rëndësishme të muzikës së dhomës në rajon, duke dëshmuar se arti, pasioni dhe vizioni i qartë mund të krijojnë tradita që zgjasin.