Mozaiku diplomatik në Shkup, në plotësim e sipër

Ivica Bocevski është emëruar përfaqësues i posaçëm i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë presidencës hungareze në Këshillin e Bashkimit Evropian, njoftoi shërbimi qeveritar për shtyp pas seancës së djeshme të Qeverisë. Presidenca gjashtëmujore e Hungarisë në Këshillin e BE-së filloi më 1 korrik dhe do të përfundojë më 31 dhjetor të këtij viti, shkruan DW.

Emërimi i Bocevskit përkon me periudhën e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik të Maqedonisë së Veriut me Hungarinë, i cili për herë të parë u njoftua në margjinat e samitit të NATO-s në muajin korrik në Uashington. Nga atje kryeministri Hristijan Mickoski  bëri të ditur se RMV vendos një “bashkëpunim të veçantë ekonomik” me Hungarinë, në të cilin bën pjesë edhe kredia e dakorduar prej 500 milionë eurosh nga Hungaria. Dy ditë më parë në Shkup Qeveria dhe operatori hungarez i telekomunikacionit “4iG“, një nga kompanitë kryesore të TIK në Ballkanin Perëndimor, nënshkruan një Memorandum për mirëkuptim, i cili paraqet një bazë për bashkëpunim afatgjatë, i thekson mundësitë për hyrje të operatorit hungarez të telekomunikacionit në tregun në RMV, por edhe i identifikon fushat strategjike për zhvillimin e ardhshëm të shërbimeve dhe infrastrukturës së telekomunikacionit në vend.

Ligji që i referohet kredisë nga Hungaria ka kaluar në seancën e Qeverisë dhe sipas kryeministrit pritet të vihet para deputetëve, të cilët do duhet ta thonë fjalën e fundit.

Pasi ligji të kalojë në Kuvend, ministrja e financave do të udhëtojë për në Hungari ku do ta nënshkruajë marrëveshjen”, njoftoi Mickoski. Siç edhe u njoftua, gjysma e kësaj kredie (250 milionë euro) do të dedikohet për mbështetje të kompanive vendore, ndërsa gjysma tjetër për projekte të komunave.

Burimet diplomatike nuk presin një depërtim integrativ të RMV-së gjatë presidencës hungareze në Këshillin e BE-së. Jo vetëm për shkak se Bullgaria nuk ka një qeveri të rregullt me ​​të cilën Maqedonia do të zhvillonte bisedime për tejkalimin e bllokimit të procesit të integrimit, por para së gjithash sepse Sofja zyrtare përsërit se “pavarësisht nëse ka një qeveri zyrtare apo me një qeveri të rregullt, dialogu nuk përfshin rinegocimin e obligimeve tashmë të marra nga Shkupi, të pranuara me konsensus evropian.” Në përkthim, nëse RMV ka vërejtje, duhet të bisedojë me Brukselin.

Murtezani në Bruksel

Dhe pikërisht atje ministri i çështjeve evropiane, Orhan Murtezani, nga sot do të jetë në një vizitë dyditore pune, ku po zhvillon takime me përfaqësues të disa institucioneve të BE-së. Murtezani është takuar me Komisionerin Evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimin, Оliver Varhei, me Sekretarin e Përgjithshëm të Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme (EEAS), Stefano Sannino dhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit të Bashkimit. (DG NEAR) , Gert Jan Köppmann.

Orhan Murtezani dhe Oliver Varheji. Foto: MÇE
Orhan Murtezani dhe Oliver Varheji. Foto: MÇE

Ministri i çështjeve evropiane do të ketë takime edhe me drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në DG NEAR, Valentina Superti, me udhëheqësen e Departamentit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në DG NEAR, Sigrit Bretel dhe me përfaqësuesin e përhershëm të Hungarisë në BE, ambasadorin Balint Odor, vendi i të cilit për momentin ka presidencën e BE-së. Murtezani do të takohet edhe me kryetarin e Komisionit për Çështje Juridike (JURI) të Parlamentit Evropian, eurodeputetin Ilhan Kyuchyuk, i cili ishte raportues i Komisionit për Punë të Jashtme për vendin në përbërjen e mëparshme parlamentare. Sipas njoftimit të Ministrisë për Çështje Evropiane, Murtezani dhe përfaqësuesit e BE-së do të diskutojnë për një sërë temash të rëndësishme për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Union, me theks të veçantë te stabiliteti rajonal, bashkëpunimi ekonomik dhe harmonizimi i mëtejshëm i reformave të brendshme me standarde evropiane. Në këto bisedime do të diskutohet edhe mundësia e rritjes së mbështetjes teknike për reformat aktuale në gjyqësor, sundimin e ligjit dhe masat kundër korrupsionit.

Erdhi ambasadori i ri evropian

Murtezani, i cili në mes të muajit gusht kishte një takim me rastin e largimit të shefit të Delegacionit të BE-së në RMV, David Geer, e falënderoi ambasadorin evropian për angazhimin e tij profesional dhe personal gjatë mandatit të tij dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer me Delegacionin e BE-së në vend, duke vlerësuar se kjo ka qenë e një rëndësie të jashtëzakonshme për avancimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Ai e siguroi ambasadorin Geer se Qeveria e Maqedonisë mbetet e përkushtuar ndaj përcaktimit strategjik për anëtarësim të plotë në BE, përmes zbatimit të reformave të nevojshme dhe duke i përcjellë vlerat dhe standardet evropiane në shoqërinë tonë.

Ambasadori i BE-së Mihalis Rokas. Foto: Delegacioni i BE-së
Ambasadori i BE-së Mihalis Rokas. Foto:
Delegacioni i BE-së

Pas largimit të Geer, Delegacioni i BE-së në Shkup dje në Facebook i uroi mirëseardhjen në  ambasadorin e ri evropian, diplomatin grek Michalis Rokas. Ai u nominua zyrtarisht për këtë post në prill të këtij viti nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. Para këtij posti Rokas ka qenë kryetar i Delegacionit të BE-së në Malajzi dhe ka 30 vjet përvojë në fushën e punëve të jashtme.

Erdhi edhe ambasadori i ri bullgar

Dy ditë më parë detyrën e mori edhe ambasadori i ri i Republikës së Bullgarisë në RMV, Zheljazko Radukov, pasi në muajin qershor i përfundoi mandati  ambasadorit të deritanishëm Angell Angellov. Radukov është propozuar nga ministrja e mëparshme e punëve të jashtme, Maria Gabriel. Ai vjen në pozitën në Shkup nga Drejtoria “Evropa Juglindore” e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë, me përvojë paraprake në vendin tonë dhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Në periudhën nga viti 2010 deri në vitin 2013 Radukov ka qenë sekretar i tretë në Ambasadën e Bullgarisë në Shkup, ndërsa nga viti 2019 deri në vitin 2021 ai ka punuar në Ambasadën Bullgare në Beograd. Nga viti 2021 ai ka qenë përgjegjës në MPJ të Bullgarisë për Republikën e Maqedonisë së Veriut në një kontekst bilateral dhe evropian. Në arsyetimin për propozimin e tij thuhej se ai ka pasur një rol kyç në krijimin dhe zbatimin e Kompromisit Evropian të vitit 2022, si dhe në negociatat bilaterale për Protokollin e Takimit të Dytë të Komisionit Ndërqeveritar sipas nenit 12 të Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Maqedoninë e Veriut, të nënshkruar në qershor të vitit 2022. Ai ka qenë edhe sekretar organizativ i Komisionit të Përbashkët për Çështje Historike dhe Arsimore dhe ka punuar në mënyrë aktive për mbrojtjen e të drejtave dhe trashëgimisë kulturore-historike të komunitetit bullgar në Maqedoninë e Veriut.