Ministria e Shëndetësisë e merr kontrollin ndaj licencimit të stomatologëve për shkak të mangësive serioze dhe dyshimeve për keqpërdorime

Ministria e Shëndetësisë nga sot i merr kompetencat për licencim të Odës Stomatologjike, kumtoi ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, njofton Portalb.mk.

Ai në konferencën e sotme për shtyp informoi se marrja e kompetencave, gjegjësisht autorizimit publik të Odës Stomatologjike janë derisa nuk vendoset sistem përmes të cilit Oda do të punojë në mënyrë ligjore, transparente dhe profesionale.

“Ky hap nuk është dënim. Ky është fillim i reformës, reformë do ta kthejë besimin, do të sigurojë integritet dhe do të garantojë se çdo stomatolog e vazhdon licencën me dituri dhe me aftësi të harmonizuara me standardet më të reja botërore”, shpjegoi Aliu.

Sipas tij, mbikëqyrja në dokumentet e Odës Stomatologjike tregoi mangësi serioze, përkatësisht edukime përmes shoqatave të paregjistruara dhe certifikata të cilat në mënyrë jo të drejtë kanë përdorur për vazhdim të licencave.

“Mbikëqyrjet dhe dokumentet treguan mangësi serioze si marrëveshje të firmosura në mënyrë retroaktive në kundërshtim me ligjin, vendime dhe dokumente pa nënshkrim dhe me dokumentacion jovalid. Në mënyrë plotësuese, injorimi i masës së përkohshme dhe vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese më shumë se një vit, edhe pse gjykata ka konfirmuar se kushtet për zhvillim profesional kanë qenë në kundërshtim me ligjin”, theksoi Aliu.

Ministri informoi se ka edhe dyshim për keqpërdorime financiare.

“Kemi dyshime serioze për keqpërdorime financiare të Odës për të cilët Policia Financiare po heton, ka grumbulluar dokumentacion voluminoz për të cilin besojmë se për kohë të shpejtë do të ketë epilog”, deklaroi Aliu.

Porositi se kjo është goditje e drejtpërdrejtë ndaj një prej pesë shtyllave të vizionit të tij për shëndetësinë. Dhe shtoi se Oda duhet të ketë sistem kredibil ligjor dhe transparent për licencim.