Ministria e Mbrojtjes shpalli konkurs për pranimin e 300 ushtarëve të rinj në ARM

Ministria e Mbrojtjes shpalli sot Konkursin e ri publik për rekrutimin e 300 ushtarëve profesionistë në shërbim të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Afati i regjistrimit është 7 ditë, duke përfshirë ditën e shpalljes së Konkursit Publik. Të rinjtë të cilët janë të interesuar të aplikojnë duhet t’i plotësojnë këto kushte: të jenë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të jenë të moshës madhore, të kenë përfunduar arsimin e mesëm, të kenë aftësi të veçanta shëndetësore dhe fizike dhe të mos jenë më të vjetër se 25 vjeç në ditën e mbylljes së konkursit për pranimin e ushtarëve profesionistë, transmeton Portalb.mk.

Paga e ushtarëve profesionistë do të jetë mbi 31.000,00 denarë, me mbi 10.000,00 denarë shtesë për sigurim banesor.

Në procedurën e përzgjedhjes, ekzaminimi i aftësisë fizike dhe shëndetësore i kandidatëve për ushtarë profesionistë për shërbim në Armatë do të kryhet nga komisione të posaçme të ngritura nga ministrja e mbrojtjes.

Kandidatët të cilët paraprakisht kanë aplikuar në shpalljen publike për pranimin e ushtarëve profesionistë dhe kanë kaluar me sukses të gjitha fazat e procedurës, dhe nuk janë pranuar për shërbim në Armatë, nëse nuk kanë kaluar më shumë se nëntë muaj nga kontrollet, gjegjësisht ekzaminet e fundit, nuk i nënshtrohen kontrollit të gjendjes fizike dhe ekzaminimeve shëndetësore.

Të gjitha detajet, përfshirë edhe mënyrën e aplikimit, i gjeni në faqen e internetit të Ministrisë, në këtë: https://mod.gov.mk/javen-oglas-300-pfv/ .

Kujtojmë se me 29 dhjetor, në kazermën “Ilinden” u pritën 150 ushtarëve të rinj profesionistë në radhët e Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Këtë vit në ushtri janë pranuar gjithsej 300 ushtarë profesionistë, nga rreth 1900 kandidatë që kanë aplikuar për dy konkurset publike.