Ministria e Drejtësisë: Mediat do të kenë qasje në vendimet e shkallës së parë në faqet e internetit të gjykatave

Ministria e Drejtësisë e ka shqyrtuar Iniciativën për ndryshimin e nenit 9 të Ligjit për Menaxhimin e Lëvizjes së Lëndëve, të cilën e parashtroi Këshilli Gjyqësor – Medial, njofton Portalb.mk.

Në takimin e sotëm të Ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga, me përfaqësuesit e Këshillit Gjyqësor – Medial, Vasko Magleshov, Emilija Shopar dhe Sanije Duraku, u arrit marrëveshje që ndryshimet të përfshihen në Strategjinë për Zhvillim të Sistemit Gjyqësor 2023-2027.

“Me ndryshimet e ligjit do të mundësohet publikimi i aktgjykimeve jo të plotfuqishme të shkallës së parë në ueb faqen e gjykatës me një masë të veçantë: Qasja e opinionit publik në aktgjykimet jo të plotfuqishme të shkallës së parë me ndryshime në Ligjin për menaxhimin e lëvizjes së lëndëve në gjykata. Një pjesë e pyetjeve për të cilat u diskutua, ishte nevoja për transparencë dhe mënyrë të hapur të gjykatave më të larta për opinionin publik si dhe për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme softuerike me qëllim të përmirësimit të sistemit gjyqësor”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Ministria e Drejtësisë, thuhet në njoftim, mbështet plotësisht zotimet dhe aktivitetet që do të kontribuojnë në rritjen e pavarësisë, autonomisë, transparencës dhe integritetit të sistemit gjyqësor.