Ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë për Sirinë, Ukrainën dhe tensionet në Baltik

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) u mblodhën sot në Bruksel për takimin e tyre të parë të vitit, të kryesuar nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, raporton Agjencia Anadollu.

Agjenda përfshin diskutime për lehtësimin e sanksioneve kundër Sirisë, tensionet me Rusinë në Detin Baltik dhe mbështetjen për Ukrainën.

Tensionet në Detin Baltik

Takimi do të fillojë me një fokus në incidentet e fundit në Detin Baltik, përfshirë dëmtimin e kabllove nënujore.

Duke folur përpara takimit, Kallas theksoi nevojën për të penguar “kërcënimet hibride” që burojnë nga Rusia, duke shtuar se kjo do të ishte temë kryesore gjatë diskutimeve.

Mbështetje për Ukrainën, sanksione ndaj Rusisë

Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha do t’i bashkohet takimit përmes video-konferencës për të ndarë informacionet e fundit mbi situatën në terren dhe për të përshkruar nevojat e Ukrainës.

Ministrat gjithashtu do të shqyrtojnë paketën e 16-të të sanksioneve kundër Rusisë. Pjesë e diskutimeve do të jenë edhe asetet e ngrira ruse dhe mundësia që ato të ridrejtohen për të mbështetur prodhimin ukrainas në fushën e mbrojtjes.

Sanksionet dhe rindërtimi i Sirisë

Një temë tjetër është lehtësimi i mundshëm i sanksioneve ndaj Sirisë, pas rënies së regjimit të Asadit dhe marrjes së pushtetit nga administrata e re.

Në një deklaratë para fillimit të takimit, Kallas tha se shpreson për një vendim politik dhe një udhërrëfyes për të hequr kufizimet në sektorët kritikë për rindërtimin e Sirisë, si transporti dhe energjia.

“Është një qasje hap pas hapi. Pra, nëse ata bëjnë hapat e duhur, atëherë edhe ne jemi të gatshëm të bëjmë hapat tanë”, tha Kallas, duke shtuar:

“Ne po bashkëpunojmë ngushtë me aktorët rajonalë si dhe me aktorët ndërkombëtarë, për të vëzhguar atë që po ndodh. Ne jemi gjithashtu të gatshëm të hapim ambasadën atje, me delegacionin e plotë të BE-së në Damask, që vërtet të kemi sytë dhe veshët tanë në terren. Pra, sipas meje, e ardhmja e Sirisë është e brishtë, por shpresëdhënëse”.

Kallas gjithashtu u shpreh se duhet parë veprat dhe hapat konkretë që do të ndërmarrë administrata e re.

“Tani për tani ata po thonë të gjitha fjalët e duhura. A po bëjnë gjithashtu gjërat e duhura? Dhe për këtë arsye ne kemi këtë qasje ‘hap për hapi’. Nëse ata bëjnë hapat e duhur, atëherë jemi të gatshëm të bëjmë edhe ne hapat e duhur”, shtoi ajo.

Lindja e Mesme, Libani

Ministrat do të diskutojnë gjithashtu situatën në Liban, duke u fokusuar në marrëveshjen e armëpushimit të nëntorit 2024 me Izraelin.

BE-ja njoftoi së fundmi një pako ndihme prej 60 milionë euro për Forcat e Armatosura Libaneze, duke nënvizuar angazhimin e saj për stabilitetin në rajon.

Gjeorgjia, zhvillimet në Moldavi

Në takim do të trajtohen edhe shqetësimet në lidhje me Gjeorgjinë, ku qeveria ka shkaktuar kritika me shtypjen e protestave. BE-ja po shqyrton sanksionet, përfshirë pezullimin e udhëtimit pa viza për diplomatët gjeorgjianë.

Në Moldavi, fokusi është në menaxhimin e krizës energjetike të shkaktuar nga ndërprerja e furnizimit me gaz nga Rusia më 1 janar.