Mijëra qytetarë në Novi Sad protestuan për shembjen vdekjeprurëse të murit në stacionin hekurudhor

Mijëra qytetarë serb janë tubuar në qytetin e dytë më të madh të Serbisë, respektivisht në Novi Sad, për të protestuar pasi një mur betoni në një stacion hekurudhor u shemb javën e kaluar, duke marrë jetën e 14 personave, raporton Anadolu.

Protestuesit kërkuan përgjegjësi nga zyrtarët dhe synonin të marshojnë drejt stacionit hekurudhor, por ata u ndaluan nga policia.

Protestuesit e zemëruar pastaj hodhën flakërime, bojë të kuqe dhe ujëra të zeza në godinën e e komunës së Novi Sadit.

Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe arrestoi ish-kryetarin e komunës Indija dhe ish-nënkryetar i rajonit verior Vojvodina, Goran Jeshiq.

Protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Milosh Vuçeviq, i cili ishte kryetar i komunës së Novi Sadit deri në vitin 2022, si dhe të kryetarit aktual të Novi Sadit, Milan Duriq.

Ata kërkuan gjithashtu arrestimin, gjykimin dhe dënimin e autorëve të aksidentit.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nga ana e tij, tha se shteti ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që përgjegjësit e tragjedisë të ndëshkohen.

”Ne do ta bëjmë atë. Askush nuk do të shpëtojë pasi të ketë bërë ndonjë gabim, sado të afërt të jetë me qeverinë”, tha Vuçiq.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, tha se në tubimin në Novi Sad, i cili nuk u regjistrua dhe nuk u paraqit siç kërkohet me ligj, ka pasur shkelje të rëndë të rendit dhe qetësisë publike, sulme dhe dëmtime të ndërtesave, rrezikim të pronës dhe sulme ndaj policisë, si dhe dëmtim të reputacionit të Serbisë lidhur me flamurin kombëtar.

“Pjesëtarët e policisë u treguan të përmbajtur dhe reaguan vetëm në rast nevoje për të zmbrapsur një sulm. Të gjithë autorët e dhunës dhe autorët e veprave penale dhe kundërvajtjeve do të ndalohen dhe ndaj tyre do të ngrihen kallëzime penale dhe kundërvajtjeje”, tha Daçiq.

Të dielën, protestuesit u mblodhën në kryeqytetin Beograd për të kërkuar dorëheqjen e ministrit të Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës Goran Vesiq.

Pas demonstratave, ministri Vesiq i dorëzoi kryeministrit Vuçeviq dorëheqjen e tij.

Të paktën 14 persona humbën jetën dhe tre të tjerë mbetën të plagosur nga shembja e betonit në stacionin hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor.

Policia mori në pyetje të paktën 40 persona në lidhje me incidentin pasi u ngritën dyshime për neglizhencë në punën e riparimit të kryer në stacionin hekurudhor në vitin 2021.