Mickoski: Nuk ka mungesë karburanti, RMV ka çmimin më të ulët në rajon, propozimet ekonomike të opozitës joserioze

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske se çfarë masash do të merren për të stabilizuar çmimet e derivateve të naftës, deklaroi se si vend kemi çmimin më të ulët të naftës. “Nuk ka ndërprerje në furnizim, por nëse marrim parasysh, nëse këtu pas nivelimit të çmimeve dizeli është 1.39 euro për litër, në Shqipërinë fqinje është 1.79 euro centë për litër, ose 30% më e shtrenjtë dhe është logjike që kemi presion në pjesën perëndimore të vendit”, tha kryeministri, transmeton Portalb.mk.

“Në Serbi është 1.73 euro centë, që është afërsisht 25% më e shtrenjtë se në Maqedoni. Në Kosovë, çmimi ndryshon, por arrin 1.52–1.53 euro centë, që është diku rreth 15%. Në Greqi 1.59 euro centë, ose Kosova është afërsisht 10%, dhe në Greqi 15%. Në Bullgari 1.41. Pra, në rajon aktualisht kemi, siç thamë, qytetarët në Maqedoni kanë çmimin më të ulët për naftën, dhe çmimi është i ngjashëm për benzinën 95 oktan dhe 98 oktan. Fakt është se si shtet kemi bindshëm çmimin më të ulët të naftës dhe kjo për momentin është ndoshta mirë nga një aspekt, por nga ana tjetër po krijohet presion në pikat e karburanteve në disa komuna kufitare. Për shkak se një numër i madh i qytetarëve nga fqinjësia vijnë për të mbushur naftë, ndodh që në disa pika karburanti të mbarojë furnizimi i pritshëm. Megjithatë, kjo plotësohet shpejt”, theksoi Mickoski.

Ai potencoi se Inspektorati Shtetëror i Tregut është vazhdimisht në terren dhe se nuk ka ndërprerje në furnizim.

Kryeministri njoftoi se nesër do të ketë takime me përfaqësues të rrjeteve të supermarketeve dhe hipermarketeve, në mënyrë që të mos shfrytëzohet situata aktuale dhe të rriten menjëherë çmimet e produkteve.

“Nesër kam takim me rrjetet e supermarketeve, hipermarketet etj. Dua të diskutoj me ta që ky presion të mos përdoret tani për të rritur menjëherë çmimet dhe që presioni të transferohet në shportën e konsumatorit të qytetarëve, në mënyrë që ne si qeveri të mos na duhet të ndërmarrim lloje të tjera masash ofensive. Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe Inspektorati Shtetëror i Tregut do të monitorojnë sjelljen e shitësve me pakicë dhe shumicë. Qeveria gjithashtu do të veprojë në përputhje me sjelljen e tyre. Pra, presim që ata të kenë marrëdhënie të drejtë me qytetarët, në mënyrë që edhe ne si qeveri të jemi të drejtë me ta, gjegjësisht, së bashku në këto momente për të mbrojtur standardin e jetesës së qytetarëve, sepse ky është qëllimi dhe prioriteti ynë në këtë moment”, shpjegoi ai.

Kryeministri Mickoski, në lidhje me propozimin e LSDM-së opozitare, theksoi:

“Nuk është rastësi që nuk i komentova, sepse këto janë propozime mjaft të pavlera, të pasakta, joserioze. Sepse nëse në një moment i dëgjon duke krijuar histeri për pagë minimale prej 600, 700, 800 eurosh, dhe nga ana tjetër thonë të eliminohen taksat, të mos ketë taksë mbi vlerën e shtuar, etj., atëherë kjo na kthen në kohë të tjera, në social-bolshevizëm dhe një lloj ekonomie të tillë. Kjo është arsyeja pse u përpoqa të mos komentoj fare për krijuesit e ekonomisë së kanabisit në Maqedoni, njerëz që fjalë për fjalë e grabitën Maqedoninë, poshtëruan qytetarët, poshtëruan shtetin. Dhe ndonjëherë ndoshta heshtja është një përgjigje e mjaftueshme. Për momentin, nuk e shohim nevojën për të shpallur një gjendje krize, pikërisht për shkak të këtyre argumenteve për të cilat kam folur tashmë”, tha Mickoski.

Ndryshe, dje, Komisioni Rregullator për Energjetikë i Republikës së Maqedonisë së Veriut (KRRE) miratoi vendim me të cilin u rritën çmimet me pakicë të derivateve të naftës me mesatare prej 14.27% krahasuar me vendimin e datës 2.3.2026..