“Metamorfozis” publikoi hulumtim mbi efektin e teknologjive të reja dhe IA në të drejtat e njeriut

Hulumtimi i ri i Fondacionit për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis” tregon se çfarë efekti mund të kenë teknologjitë e reja dhe inteligjenca artificiale (IA) në të drejtat e njeriut në internet. Më 13 mars të këtij viti me një shumicë votash Parlamenti Evropian miratoi ligjin e parë për inteligjencën artificiale (AI Act), ndërsa në vendin tonë me iniciativë të Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik (FIZHT) u krijua një grup pune, i cili do të krijojë një Strategji Kombëtare për Inteligjencën Artificiale që ekziston që nga viti 2021, por për zhvillimin e të cilës ende nuk është filluar me hapa konkretë, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

“Zhvillimi i shpejtë i IA shkakton ndjenjë respekti, admirimi dhe frike primare që ndonjëherë është joracionale, por mungesa e kontrollit dhe i një kornize ligjore deri diku mund ta justifikojë atë. Pa e kuptuar përdorimi i IA po bëhet përditshmëri e jona, sidomos në vendin e punës, por edhe më gjerë përmes përdorimit të aplikacioneve në mediat sociale dhe gjatë përdorimit të aplikacioneve në celularët tanë për të redaktuar fotografi, për të krijuar ide apo për të zgjidhur ndonjë problem”, thuhet në njoftimin e “Metamorfozis”.

Edhe pse reagimet e qytetarëve të zakonshëm ndaj zhvillimit të inteligjencës artificiale dinë të jenë ekstreme, duke arritur nivele të teknofobisë së theksuar që kalon në zhvillim të teorive konspirative, zhvillimi i inteligjencës artificiale dhe automatizimi ekzistojnë për ta përmirësuar jetën e njerëzve, por kur nuk kontrollohen ato mund të dëmtojnë të drejtat e njeriut në internet.

Edhe krahas potencialit të madh të inteligjencës artificiale për të përmirësuar shumë aspekte të përvojës njerëzore, për shkak të rrezikut nga dizajnimi dhe përdorimi joetik i saj është jashtëzakonisht e rëndësishme të vendosen rregullore dhe rregulla për përdorimin e saj, të cilat do të kenë kujdes për të gjitha sfidat dhe që do të garantojnë mbrojtje të barabartë për të gjithë.

“Pikërisht për këtë Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis” realizoi një hulumtim qëllimi i të cilit është vlerësimi i ndikimit të zhvillimit dhe përdorimit të inteligjencës artificiale tek të drejtat e njeriut në internet. Gjetjet e këtij hulumtimi duhet të kontribuojnë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në internet në politikat që kanë të bëjnë me inteligjencën artificiale. Ato duhet të shërbejnë si busull gjatë krijimit të një rregulloreje, e cila do t’i mbrojë të drejtat e njeriut në internet gjatë zhvillimit të inteligjencës artificiale”, informojnë nga Fondacioni.

Si rezultat përfundimtar i hulumtimit veçohen pesë standarde etike për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në internet, gjatë krijimit të politikave që e rregullojnë vendimmarrjen e automatizuar. Ndër standardet kryesore etike që duhet të përfaqësojnë rregulla të zbatueshme, të denja dhe të pacenueshme për ruajtjen e dinjitetit njerëzor për shkak të sigurisë, besueshmërisë dhe përgjegjësisë së tyre ndaj njerëzve janë: shpjegueshmëria dhe verifikueshmëria, dinjiteti, ndalimi i shkaktimit të dëmit, drejtësia, përdorimi etik i përgjegjshëm shoqëror i të dhënave.

Ky hulumtim duhet të shërbejë si udhërrëfyes gjatë rregullimit të inteligjencës artificiale, gjë që në vendin tonë ende nuk zbatohet.