Meta fakt: TEC “Negotinë” nuk punoi  me gaz natyror, Qeveria e drejton gishtin tek kriza energjetike

Ky kapacitet energjetik dhe më tej e përdor mazutin joekologjik për të prodhuar energji elektrike, për çka reaguan edhe ekologët e CEE Bankwatch Network. Nga Qeveria e pranojnë se afatet janë tejkaluar, por shtojnë se fajtor për këtë është kriza energjetike, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Qeveria në Programin e saj të punës për periudhën 2022-2024, faqja 14, ka premtuar se SH.A. TCE “Negotinë” do të jetë pjesë e SH.A. Elektranat e Maqedonisë së Veriut (ESM) dhe në afatin më të shkurtër kohor do të transformohet dhe adaptohet që të punojë me gaz natyror.

Për investimin me të cilin TCE “Negotinë” do të transformohej për prodhim nga mazuti te gazi natyror, Meta.mk dërgoi pyetje deri te Qeveria e RMV-së prej ky morëm sqarim se ato nuk lëvizin nga premtimi në Programin e punës së Qeverisë për periudhën 2022-2024, por dhe se kriza energjetike e cila e kaploi vendin dhe kontinentin evropian i ka spostuar planet për këtë projekt.

“Në kushte të krizës më të madhe energjetike botërore elektrana TCE Negotinë, i cili punon me mazut, ka prodhuar me kapacitet të plotë, gjegjësisht në funksion ishin vënë të dy furrat, me qëllim që të sigurohet prodhim plotësues i energjisë elektrike për furnizim të pandërprerë me energji elektrike”, thonë për Meta.mk nga Qeveria e RMV-së.

Ato shtojnë se vendimi që TCE “Negotinë”të jetë rezervë e ftohtë dhe të mbahet në kondicion që vazhdimisht të jetë e kyçur në rrjet, siç ishte kriza energjetike, ka rezultuar si strategjike dhe ka qenë me rëndësi kyçe në sigurimin e një shpërndarjere të sigurt, stabile dhe të vazhdueshme të energjisë elektrike.

“Transformimi i TCE “Negotinë” nga puna me mazut në atë me gaz natyror, duhet të realizohet, por duke pasur parasysh gjendjen e krizës së vitit të kaluar dhe nevojën për punë të TCE Negotinë me mazut me qëllim të zbutjes së pasojave dhe rritjes enorme të çmimeve për qytetarët, nuk ishte e mundur që transformimi të fillojë në afatin e paraparë. SH.A. TCE Negotinë si pjesë e SH.A. ESM do të transformohet dhe adaptohet që të punojë me gaz natyror”, sqarojnë nga Qeveria e RMV-së për këtë projekt, pa precizuar se në cilën periudhë kohore do të mund të realizohet transformimi i adaptimit të punës së këtij termocentrali në gaz natyror.

Nga Qeveria shtojnë se për të gjitha planet më të detajuara për transformim dhe adaptim të punës së TCE “Negotinë” në gaz natyror, si dhe procesi i pergatitjes së dokumentacionit projektues, mjeteve financiare dhe afatit kohor që nevojiten për realizimin e aktiviteteve, publiku do të informohet pas mbajtjes së seancës së parë pas pushimeve vjetore të Këshillit ekonomiko-energjetik.

Njëkohësisht, nga qeveria e Maqedonisë sqarojnë se pjesa e parë e premtimit se “SH.A. TCE Negotinë do të jetë pjesë e SH.A. Elektranat e Maqedonisë së Veriut (ESM)”, për momentin është në proces realizimi, gjegjësisht Qeveria në cilësinë e Kuvendit të Shoqërisë Aksionare për prodhim të energjisë elektrike, Elektranat e Maqedonisë së Veriut, në pronësi shtetërore – Shkup, vendosi që të iniciojë ndryshim statusor –  bashkim me Shoqërinë Aksionare për prodhimin e energjisë elektrike TCE “Negotinë”, në pronësi shtetërore.

Për qëllimet e bashkimit e angazhoi Këshillit drejtues të SH.A. ESM Shkup që të lidhë marrëveshje për bashkim, e cila do t’i përmbajë të dhënat e parapara me Ligjin për shoqëritë tregtare.

“Marrëveshja për bashkim do të jetë e plotfuqishme pas pranimit të të njëjtës nga ana e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në cilësinë e Kuvendit të të dy shoqërive”, sqarojnë nga Qeveria e RMV-së.

Meta.mk bëri edhe shqyrtim të dokumenteve kyçe lidhur me punën e termocentralit të Negotinës. Në asnjë prej tyre nuk gjetëm se për momentin po ndërmerren aktivitete pët transformim dhe adaptim të TCE “Negotinës” që të punojë me gaz natyror.

Kështu, në Planin financiar për vitin 2023 të TCE “Negotinë” është paraparë se prodhimi i planifikuar i energjisë elektrike këtë vit do të zhvillohet sipas sasive të parapara të mazutit prej 250.000 tonelatash, të cilat do t’i nevojiten kapacitetit energjetik. Për nevojat e TCE “Negotinë”, vitin e kaluar SH.A. ESM në pikun e krizës energjetike shpalli tender për prokurim të 190.000 tonelatave mazut për prodhim të pandërprerë të energjisë elektrike.

Në Programin e investimeve për vitin 2023 në asnjë vend nuk është e precizuar se do të realizohet aktivitet investues që është i lidhur me transformimin dhe adaptimin e termocentralit për punë me gaz natyror. Përfundimisht, në planin e varfër Strategjik për zhvillimin e TCE “Negotinë”, që është i shpallur në ueb-faqen e kësaj shoqërie aksionare nuk ka detaje për adaptim dhe modernizim të kapacitetit aktual për të prodhuar energji elektrike me gaz natyror.

Përndryshe, sipas raportit të ri të CEE Bankwatch Network, “Harmonizo ose mbyll – 2023”, ekologët reagojnë se me krizën energjetike në vend që ka shkaktuar aktivizimin e TCE “Negotinë”dhe prokurime jotransparente të qymyrit me cilësi të dyshimtë për termocentralet, vendi po lëviz në drejtim të kundërt të atij të duhurit dhe vetëm po vazhdon që seriozisht ta kontaminojë mjedisin jetësor dhe ta rrezikojë shëndetin e njerëzve, qëndron në njoftimin e Eko-svest-it që është publikuar më 28 qershor të vitit 2023.

Në bazë të të gjitha fakteve të sipërshënuara, mund të konstatojmë se ky premtim qeveritar nga Programi për punë për periudhën 2022-2024 për transformim dhe adaptim të TCE “Negotinë” për të punuar me gaz natyror deri tani nuk është realizuar. Njëherit, duke pasur parasysh planet aktuale për prokurim të sasive aktuale të mazutit për prodhimin e energjisë elektrike gjatë vitit 2023, konstatojmë se është e pamundur që të realizohet aktivitet investees për aplikimin e gazit natyror në punën e TCE “Negotinë” edhe në muajt në vijim, gjegjësisht premtimi është e pamundur të realizohet deri në vitin 2024.

Burime: