“Mendova se ndërtesa do të më binte mbi kokë”, dëshmi nga banorët e Venezuelës pas tërmeteve katastrofike
Gazetarja Nicole Colster ishte në shtëpi në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas, kur apartamenti i saj filloi të dridhej me forcë. “Pashë dritaret të lëviznin dhe e vetmja gjë që munda të bëja ishte të futesha midis derës së përparme dhe murit prej guri për të mbrojtur veten”, tha ajo. Dy tërmete goditën qytetin brenda pak sekondash nga njëri-tjetri dje, i pari me magnitudë prej 7.2 ballësh, i dyti me magnitudë prej 7.5 ballësh, transmeton BBC.
Fotot treguan ndërtesa të shembura dhe njerëz të mbledhur në rrugë, por numri i të vdekurve dhe shkalla e plotë e dëmit janë ende të panjohura.
“Ky është tërmeti më i fortë që kam ndjerë ndonjëherë në jetën time”, tha Colster për BBC. “Ishte aq i fortë sa mendova se ndërtesa do të binte mbi mua.”
Colster mbeti e bllokuar midis derës së përparme dhe murit prej guri të apartamentit të saj në katin e shtatë për një kohë të gjatë përpara se të dëgjonte fqinjët e saj duke u bërë thirrje njerëzve të evakuoheshin.
“Një orë pas tërmetit, të gjithë janë ende jashtë duke pritur për siguri në rast se do të ketë ndonjë pas-lëkundje”, tha gazetarja, e cila jeton në Palos Grandes, një lagje e madhe në Karakasin qendror që ishte ndër më të goditurat nga tërmetet.
Pavarësisht se ishte ditë jave, shumë njerëz ishin në shtëpi kur tërmetet goditën në një festë kombëtare që përkujtonte Betejën e Karabobos të vitit 1821, një fitore vendimtare për udhëheqësin e pavarësisë së Venezuelës, Simón Bolívar, kundër fuqisë koloniale spanjolle.
Fotot dhe videot që dalin nga zonat e prekura tregojnë disa njerëz duke qarë dhe të tjerë duke u përqafuar në rrugë.
“Ka njerëz që janë shumë të trishtuar, të pafuqishëm sepse nuk mund t’i nxirrnin kafshët e tyre shtëpiake jashtë”, tha Kolster.
“Të tjerë u përpoqën të nxirrnin makinat e tyre nga bodrumet e ndërtesave, nga frika se dridhjet mund t’i përkeqësonin gjërat.”
Britma për ndihmë mund të dëgjoheshin nga rrënojat e një ndërtese të shembur aty pranë, shtoi ajo.
Maria Elise, një tjetër banore e Palos Grandes, tha se dridhjet kishin çarë disa nga muret në apartamentin e saj.
“Ka shtylla të rrëzuara, nuk kemi energji elektrike, nuk kemi sinjal”, tha Elise.
Kjo nuk është hera e parë që kryeqyteti i Venezuelës është goditur nga një tërmet i madh. Në vitin 1967, një tërmet me magnitudë 6.6 ballë goditi Karakasin, duke vrarë më shumë se 200 njerëz dhe duke shkatërruar ndërtesa në Palos Grandes dhe lagjen luksoze Altamira. Por tërmetet e sotme janë më të këqija, sipas disa banorëve që përjetuan tërmetin e vitit 1967.
“Pati një shpërthim shumë të fortë. Gjëra po binin në shtëpi. Nuk kam përjetuar kurrë diçka të tillë”, tha për agjencinë e lajmeve Reuters Coro Martinez, një banor 56-vjeçar i Karakasit lindor.
Pensionistja Maria Romero, 80 vjeç, tha: “Ky tërmet ishte i tmerrshëm, madje edhe më i keq se ai i vitit 1967.”